E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Duhet një përmbyllje historike e së kaluarës me Serbinë

Nga Express më 03 tetor 2011 në ora 19:59

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në një bisedë për Zërin e Amerikës, tha se Kosova është në rrugë të mirë për vendosjen e sundimit të ligjit edhe në veriun e saj të banuar me shumicë serbe, ndërsa u angazhua për, siç tha ai, përmbylljen historike të kapitullit të së keqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri Thaçi tha se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara ndaj vendosjes së sundimit të ligjit, përfshirë edhe veriun e vendit, rrugët e të cilit mbeten të bllokuara nga protestuesit serbë, që nuk pajtohen me vendosjen e doganave të Kosovës në atë zonë. Kryeministri Thaçi tha se pas 25 korrikut, tërësia tokësore e Kosovës është e mbrojtur dhe sovraniteti i saj po forcohet. Por ai tha se problemet 12 vjeçare në veri nuk mund të zgjidhen për 12 orë. Ai tha se qeveria e Kosovës nuk është në konflikt me qytetarët e saj në veri dhe atje nuk do të jetë një status quo të re. Vullneti i shumicës së qytetarëve në veri nuk janë barrikadat dhe dhuna, tha ai.

“Është shumë me rëndësi që qytetarët atje nuk jetojnë me ëndrrën e ushqyer nga Beogradi tash e 12 vite për ndarje. Dhe të gjithë e dinë se barrikadat dhe ai mentalitet nuk do të mund të mbijetojë gjatë atje. Rruga e vetme është integrimi, dorë shtrëngimi dhe natyrisht se krijimi i rrethanave shumë më pozitive nga ana e qeverisë së Kosovës dhe autoriteteve ndërkombëtare në mënyrë që qytetarët atje të jetojnë si në gjithë territorin e Kosovës”.

Kryeministri Thaçi tha se zgjidhja e situatës në veri është në planin a krye negociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari dhe në Kushtetutën e Kosovës.

“Për veriun e Mitrovicës, nuk do të jetë status special, nuk do të ketë autonomi. Nuk do të ketë ndonjë trajtim siç pretendohet poshtë e lartë, apo administrim ndërkombëtarë. Dëshiroj të thekojë se gjithë skena politike kosovare ka një qëndrim dhe flasim me një zë se duhet të vazhdojë implementimi i dokumentit të presidentit Ahtisaari, duhet të ndodhë investim socio ekonomik, duhet të ketë rend dhe ligj. Dhe vetëm duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, dokumentin e presidentit Ahtisaari dhe Rezolutën 1244, atje do të ketë normalitet, duhet të ketë jetë të re, duhet të ketë perspektivë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›