Behgjet Pacolli rikthehet në krye të AKR’së
Behgjet Pacolli është rikthyer në krye të subjektit që e themeloi vetë, Aleancës Kosova e Re.
Këshilli Drejtues i kësaj partie, në një mbledhje të mbajtur pasditen e sotshme, ka vendosur ta shfuqizojë vendimin që ka marrë vetë javën e kaluar për emërimin e Rrahim Pacollit në postin e udhëheqësit të AKR’së.
“Sot me 03.10.2011, u mbajt mbledhja e Këshillit Drejtues të Aleancës Kosova e Re me rend të ditës: 1. Rishikimi i vendimit të Këshillit Drejtues të dt: 23.02.2011, në të cilin është pranuar dorëheqja e Presidentit të Partisë z.Behgjet Pacolli. Këshilli Drejtues këtë dorëheqje e ka pranuar jo me dëshirën e vet, por me kërkesën e Z.Behgjet Pacolli për shkak të zgjedhjes së tij President i vendit. Sot, në rrethanat të tjera, z.Pacolli nuk ka asnjë pengesë për t’u rikthyer në krye të partisë dhe ky ka qenë edhe vullnet i të gjitha strukturave të partisë”, thuhet në një komunikatë të AKR’së.
“Z.Behgjet Pacolli u rikthye si President i AKR’së me shumicën absolute të votave të Këshillit Drejtues. (83 për, asnjë kundër)”, thuhet në komunikatë.
Megjithatë, jozyrtarisht mësohet se Gëzim Mehmeti, nga dega e kësaj partie në Prishtinë, ka abstenuar.