E Diel, 1 Nëntor 2026

Selitë e partive të vogla, në heshtje mbas zgjedhjeve

Heshtja zgjedhore e partive të vogla e cila ka filluar një ditë para votimeve të 28 qershorit vazhdon të jetë e tillë, në të gjitha selitë e partive të vogla. Partitë e vogla si Partia Demokracia Sociale, Partia Social Demokrate, Partia lëvizja e Legalitetit dhe shumë parti të tjera nuk kanë mundur që të fitojnë asnjë mandat për tu përfaqësuar në parlamentin e ardhshëm, ku disa prej krerëve të partive të vogla kanë akuzuar dy partitë e mëdha për kodin zgjedhor, të cilat e konsideruan kodin zgjedhor si një kod që u përdor nga PD dhe PS për të nxjerrë jashtë loje partitë e tjera të cilat mund të bënin realisht oponencë partive të mëdha. Veç hyrjes dhe daljes së ndonjë punonjësi që duhet të plotësojë orarin zyrtar në këto zyra nuk shihen as kryetarët apo edhe më tepër simpatizantë të këtyre partive, sepse rezultatet paraprake nuk kanë dhënë asnjë shpresë për to. Edhe pse kanë mbetur disa kuti votash të pa numëruara për këto parti nuk ka asnjë fije shprese për të zënë një karrige deputeti në parlamentin e ri. Të vetmet parti të vogla të cilat kanë tashmë një deputet të sigurt janë Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, Partia Republikane si dhe Partia për Drejtësi dhe Integrim. Por deri në numërimin votë pas vote të kutisë më të fundit gjithçka pothuajse mbetet e hapur, por kjo formulë vlen vetëm për partitë e mëdha të cilat tashmë janë në garë me njëra-tjetrën. Gjithashtu përveç kodit zgjedhor të cilën partitë e vogla e kanë cilësuar si të papërshtatshëm, ato pretendojnë se dhe në shumë qendra votimi të vendit ka patur manipulim të votës së tyre për shkak se dy partitë e mëdha ku këto bënin pjesë në koalicion nuk kanë ruajtur votën e të voglave, por e kanë marrë dhe e kanë llogaritur si të tyren. Kjo sipas krerëve të partive të vogla ka ardhur si pasojë se këto parti nuk kanë patur asnjë komisioner apo vëzhgues që të ruaj votën e tyre. Sipas deklaratave të bëra nga disa prej krerëve të partive të vogla dy partitë e mëdha kanë mundur që të marrin disa mandate më shumë vetëm me votat e dhëna për partitë e vogla. Sipas krerëve të këtyre partive të vogla sipas kodit zgjedhor të hartuar nga dy partitë e mëdha se në rast se një parti e vogël që bënte pjesë në koalicion nuk mund të kalonte 5 përqindëshin atëherë e votat e dhëna për këtë parti i kalonin partisë së madhe. Për këtë fakt të gjitha partitë e vogla akuzojnë partitë e mëdha në koalicionin ku bënin pjesë, duke i akuzuar si manipuluese të votës së tyre me qëllimin që këto parti të vogla të mos e kalonin dot pragun e vendosur për të marrë pjesë në parlamentin e ardhshëm, gjithashtu dhe për të përfituar nga këto parti për të përfituar dhe ndonjë mandat më shumë duke marrë dhe votat e partive të vogla.

Last Updated on Friday, 03 July 2009 00:23

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›