E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyllet numërimi në Bushat, rezultati mbetet i pandryshuar

Procesi i numërimit të kutive të bllokuara në Bushat të Qarkut të Shkodrës ka përfundur zyrtarisht, por ndryshe nga çfarë pritej, kutitë e numëruar nuk kanë sjellë asnjë ndryshim në mandatet e PS dhe PD. Pas numërimit të gjithë kutive, aq shumë të debatuara, rezultati ka mbetur po ai sa i takon deputetëve të ardhshëm, 7 me 4 në favor të PD. Sipas burimeve nga Qendra e Numërimit 41 në Bushat, me vota rezulton fituese dhe në avantazh Partia Demokratike, me 6500 vota më tepër. Por, me gjithë këtë rezultati nuk i ka mundësuar PD-së mandatin e tetë në qarkun e Shkodrës. Numërimi u mbyll në orët e para të mëngjesit të sotëm, ndërkohë që rezultatet zyrtare pritet të jepen më vonë, pasi të kalkulohen edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Dy ditë më parë, pas mosmarrëveshjeve me komisionerët dhe pas ndërhyrjes së KQZ duke shkarkuar dhe riemëruar komisionerë të tjerë, u zhbllokua ngërçi i krijuar në Bushat. Bllokimi i KZAZ së Bushatit, e cila shkaktoi përplasje deri në Tiranë midis 2 forcave të mëdha politike, erdhi si rezultat i konstatimit të parregullsive në disa kuti. Kë kandidatët për deputetë të PS, që po ndiqnin procesin e numërimit të votave kanë ndërhyrë pasi kanë konstatuar ndryshim të bojës së njërës prej dy vulave të vendosura në fletët e votimit. Pas debateve të ashpra mes tyre dhe anëtarëve të KZAZ nr 41, PS ka vendosur të tërheqë nga KZAZ dhe grupet e numërimit, anëtarët e përfaqësuesit e saj. Duke qenë se kjo forcë politike ka shumicën në këtë KZAZ, procesi nuk ka mundur të vazhdojë. I gjithë materiali i kësaj zone zgjedhore, vendi i numërimit të së cilës është tek ish-magazinat e grumbullimit në qendër të Bushatit, është marrë në ruajtje nga policia. Dera është kyçur dhe dyllosur nga drejtuesit e KZAZ dhe policia ka krijuar 3 breza rojesh që nuk kanë lejuar askënd të afrohej pranë VNV së zonës zgjedhore nr. 42. Menjëherë më pas, ka reaguar në Tiranë zëdhënësja e PD, Majlinda Bregu, e cila i ka bërë thirrje liderit të PS, Edi Rama të zhbllokojë procesin e numërimit të votave në këtë KZAZ, ku sipas saj, Rama po iu thotë komisionerëve të PS të zvarrisin sa më shumë numërimin, pasi PS ndjente humbjen e thellë. Gjithashtu, Bregu theksoi se nuk munden që komisionerët të ngrihen nga tavolina e numërimit sa herë iu bie telefoni nga kryetari i tyre. Më tej, është mbledhur KQZ ku ka shkarkuar menjëherë komisonerin që kishte bllokuar procesin duke emëruar një tjetër, vendim i cili i ka dhënë fund bllokimit të numërimit të votave në këtë zonë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›