E Shtunë, 31 Tetor 2026

Selitë qendrore të tri partive kryesore “ngrijnë” një ditë para votimeve



Eljona Ballhysa, Shaban Sulçe

Tri selitë e partive kryesore politike në vend që kanë gëluar nga militantët, mbledhjet dhe kandidatët për deputetë këtë muaj të fushatës zgjedhore, një ditë para zgjedhjeve janë më të heshtura se kurrë. Dita e djeshme ka qenë një ditë heshtjeje jo vetëm për të respektuar Kodin Zgjedhor dhe heshtjen elektorale, por një ditë e përgatitjeve të fundit për të pritur 28 qershorin, kur sovrani do të vendosë mbi fatin e këtyre partive, por dhe mbi fatin e vendit në katër vitet e ardhshme. Ndërkohë që dje shihje shumë pak njerëz në ndërtesat e partive, sot pritet që gjithçka të ndryshojë dhe ndërtesat e PS-së, PD-së dhe të LSI-së të mbushen me simpatizantë të shumë, drejtues, kandidatë, të cilët do të festojnë fitoren në njërin kamp dhe do të ngushëllojnë njëri-tjetrin për humbjen në kampin tjetër. Tani “topi” është në fushën e zgjedhësve shqiptarë, të cilët sot pritet të shënojnë “golin” e fitores.
PD-ja
Selia blu e rikonstruktuar në prag të fushatës zgjedhore ishte dje më e qetë se kurrë. Pas derës kryesore dukej që larg roja në kabinën e tij. Ndërsa në oborr lëvizin shkujdesur dy simpatizantë. Njëri prej tyre bën të ditur se askush nuk ndodhet në ndërtesë. I riu, mbi të tridhjetat, tregon se të gjithë kandidatët janë shpërndarë në zonat e tyre elektorale në qarqe të ndryshme të vendit. Të vetmit që priten të mblidhen rreth orëve të pasdites janë kandidatët e qarkut të Tiranës. Edhe këta, gjatë paradites, janë udhëzuar të qëndrojnë në zyrat elektorale në lagjet që kanë marrë përsipër të mbulojnë gjatë fushatës. Kandidatët e Tiranës kanë zhvilluar dje mbledhje në zyrat elektorale në çdo lagje të kryeqytetit. Ata kanë udhëzuar simpatizantët, anëtarët e shtabeve elektorale dhe veçanërisht komisionerët e PD-së në qendrat e votimit që të ruajnë çdo votë. Urdhri i veçantë ka qenë të qëndrojnë larg provokimeve të PS-së, pasi çdo incident që mund të shkaktohet i ngarkohet PD-së. Kjo për faktin se është partia që ka pushtetin. Më tej mësohet se kandidatët i kanë udhëzuar dje komisionerët që të verifikojnë dokumentin e identifikimit të çdo zgjedhësi, duke mos lejuar në asnjë mënyrë përdorimin e certifikatave apo të ndonjë letërnjoftimi fals. Ndërkaq, në selinë e PD-së mësohet se gjatë ditës së djeshme janë instaluar kamerat e televizioneve të ndryshme që do të paraqesin “live” çdo informacion dhe aktivitet që pritet të ndodhë gjatë ditës së djeshme. Po kështu, burimet bëjnë të ditur se është pastruar dhe është gati zyra e kryeministrit Berisha. Ashtu si në zgjedhjet e kaluara, kryetari i PD-së do të ndjekë procesin zgjedhor dhe rezultatet paraprake në zyrën e tij në selinë blu. Këtë e konfirmoi vetë kreu i PD-së një ditë më parë, gjatë konferencës për shtyp. Berisha tha se rezultatet do t’i presë në zyrën e tij në seli, ndërsa shprehu besimin se do të festojë fitoren me kandidatët dhe mbështetësit e PD-së.
PS-ja
Edhe në selinë e Partisë Socialiste atmosfera dje ka qenë e qetë. Një numër i vogël zyrtarësh dhe drejtuesish të PS-së ndodheshin në ambientet e selisë, në të cilën janë vendosur në pjesë të ndryshme të saj posterat elektorale, banerat me numrin 33 dhe fotografitë e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Gjithashtu, në godinën e kësaj partie kanë filluar të instalohen edhe banerat e televizioneve, të cilat do të transmetojnë gjatë ditës së sotme, minutë pas minute, lajmet nga Partia Socialiste. Një numër i madh gazetarësh, vendas dhe të huaj, do të raportojnë nga selia rozë gjatë ditës së sotme deklaratat, qëndrimet si dhe të dhënat që do të publikojë selia rozë për lajmet që vijnë nga terreni i zgjedhjeve. Pjesa tjetër e zyrtarëve socialistë dhe e kandidatëve për deputetë të saj janë shpërndarë në zonat e tyre elektorale për të ndjekur nga afër procesin zgjedhor të sotëm. Së bashku me kandidatët, në zonat elektorale kanë shkuar edhe pjesëtarët e strukturës së posaçme të Partisë Socialiste, e cila do të angazhohet për mbrojtjen e votave dhe parandalimin e manipulimeve të procesit. Kjo strukturë ka edhe zyrën e saj në selinë e Partisë Socialiste, e cila funksion 24 orë në 24. Drejtuesit e kësaj zyre marrin informacion të vazhdueshëm për situatën nga të katër anët e vendit. Përsa u përket anëtarëve dhe simpatizantëve, një numër i konsiderueshëm i tyre kanë qenë të pranishëm në ambientet e bar “Austria”. Por numri i tyre pritet të rritet gjatë pasdites së sotme, ku simpatizantët socialistë, së bashku me zyrtarët dhe kandidatët për deputetë dhe kryetarin Edi Rama, do të ndjekin nga afër shpalljen e rezultateve paraprake.
LSI-ja
Në selinë e Lëvizjes Socialiste për Integrim atmosfera ka qenë e lidhur gjithashtu me procesin zgjedhor të sotëm. Kandidatët e LSI-së prej kohësh gjenden në zonat e tyre elektorale, ndërkohë që dje janë bërë përgatitjet e fundit për caktimin e vëzhguesve të LSI-së, të cilët do të ndjekin nga afër procesin zgjedhor. Edhe në selinë e LSI-së kanë filluar të instalohen banerat e televizioneve, të cilët do të transmetojnë lajme nga kjo parti gjatë ditës së sotme. Edhe në selinë e LSI-së pritet të vendosen një numër i madh gazetarësh, vendas dhe të huaj, të cilët do të raportojnë lajmet dhe deklarata nga kjo parti. Ashtu si çdo ditë, edhe pranë selisë së LSI-së kanë qenë të pranishëm një numër i madh anëtarësh dhe simpatizantësh, kryesisht të rinjtë e LRI-së. Numri i anëtarëve të pranishëm në selinë e LSI-së pritet të rritet gjatë ditës së sotme, gjatë publikimit të rezultateve paraprake.

Rama dhe Meta do të votojnë në të njëjtën njësi bashkiake

Dy krerët e opozitës, Edi Rama dhe Ilir Meta, do të votojnë në të njëjtën njësi bashkiake në kryeqytet. Si kryetari i PS-së, ashtu edhe kreu i LSI-së, janë të regjistruar si zgjedhës në Njësinë Bashkiake Nr. 7 në Tiranë. Rama do të votojë në qendrën e votimit në Institutin e Historisë, ndërsa Meta do të votojë në një qendër votimi që është ngritur në një nga lokalet që ndodhet në këtë njësi. Ish-kryeministri dhe ish-kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano, do të votojë në shkollën “Dora Distria”, në Njësinë Bashkiake Nr.10. Kryetari i Partisë Social Demokrate, Skënder Gjinushi, do t’i drejtohet qendrës së votimit në shkollën “Edit Durham”, në Njësinë Bashkiake Nr. 5. Po në Njësinë Bashkiake Nr. 5 do të votojë edhe sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, i cili do të votojë në qendrën e votimit që është ngritur në Kopshtin Nr. 42. Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, figuron në listat e zgjedhësve në Njësinë Bashkiake Nr. 5, ku ai do të votojë në shkollën “Dëshmorët e lirisë”. Ndërsa kreu i G99-s, Erion Veliaj, do të votojë në shkollën “Fan Noli”, në Njësinë Bashkiake Nr. 2.

Berisha, si gjithmonë, voton te Liceu Artistik

Kryetari i Partisë Demokratike, kryeministri Sali Berisha, do të votojë sot në ambientet e Liceut Artistik në Rrugën e Elbasanit, që i përket Njësisë Nr. 2 në Tiranë. Kryeministri Berisha ka votuar gjithmonë në këtë qendër votimi, të cilën e ka shumë pranë shtëpisë së tij. Megjithëse ende nuk është bërë e ditur ora e votimit të tij, pritet që kreu i qeverisë të shkojë drejt kutisë së votimit gjatë orëve të para të mëngjesit, ashtu sikur se ka vepruar edhe gjatë proceseve të kaluara zgjedhore. Ndërsa dhe krerët e partive të vogla të djathta, si Mediu e Ndoka, pavarësisht se nuk kandidojnë në Tiranë, do të votojnë pikërisht në Tiranë. Kështu, Fatmir Mediu do të votojë në Kopshtin Nr. 11 në Njësinë Bashkiake Nr. 5. Nard Ndoka do të votojë në bibliotekën e lagjes në Njësinë Bashkiake Nr. 2. Ndërsa Aleksandër Meksi, i cili drejton koalicionin “Poli i Lirisë”, do të votojë në shkollën "Emin Duraku" në një Njësinë Bashkiake Nr. 5 në Tiranë. Dashamir Shehi, kryetari i LZHK-së, do të votojë në shkollën "Osman Myderizi", Rr. "Ali Visha" në Njësinë Bashkiake Nr. 2 në Tiranë. Dhe Spartak Ngjela, kryetari i Partisë për Ligj dhe Drejtësi, do të votojë në shkollën "Emin Duraku", në Njësinë Bashkiake Nr. 5.

Eduard Selami: “Shqipëria do ta kalojë provën për përmbushjen e standardeve në zgjedhje”

Kryetari i parë i Partisë Demokratike, Eduard Selami, shprehu nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës bindjen e tij se zgjedhjet e 28 qershorit në Shqipëri do të jenë të lira dhe të ndershme. Duke folur në një intervistë për Zërin e Amerikës, Selami ka theksuar se Shqipëria i ka kaluar problemet që ka pasur më parë, kur pjesëmarrësit në zgjedhje kontestonin rezultatet. “Mendoj se Shqipëria do ta kalojë me sukses këtë provë. Kam bindjen se këto do të jenë zgjedhjet e para që nuk do të kontestohen dhe që kundërshtarët do të urojnë njëri-tjetrin për fitoren”, - ka deklaruar Selami. Sipas tij, me këto zgjedhje Shqipëria do të mund të përforcojë imazhin e saj pozitiv në arenën ndërkombëtare. “Zgjedhjet e lira e të ndershme janë në epërsinë tonë dhe në këtë aspekt, unë mendoj se nëse imazhi është i rëndësishëm, kjo do të jetë një hap përpara për shqiptarët dhe për të gjithë institucionet”, - ka pohuar Selami. Më tej, duke komentuar anëtarësimin e vendit në NATO, ai ka theksuar se kjo është një fitore e jashtëzakonshme për forcat politike dhe shqiptarët.

28 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›