Zgjedhjet, spitalet në gjendje të lartë gatishmërie me dyfishin e mjekëve në punë
Spitalet në Tiranë janë vënë në gjendje të lartë gatishmërie për t’u paraprirë situatave konfliktuale që mund të tensionohen gjatë ditës së zhvillimit të zgjedhjeve në të gjithë vendin. Shefi i Shërbimit të Traumës në Spitalin Ushtarak, Fatos Olldashi, shprehet se spitali ka një javë që është vënë në gjendje gatishmërie për pritjen e urgjencave në rast konfliktesh nga gjendja e acaruar zgjedhore. Drejtoria e këtij spitali ka dhënë urdhër që i gjithë ekipi i mjekëve të jetë gati për të përballuar çdo lloj situate. Që në fillim të javës janë pezulluar të gjitha operacionet dhe janë krijuar ambiente të lira të urgjencës dhe dhomave të shtrimit. Gjatë javës është shmangur dyndja e pacientëve për të lënë hapësira boshe për rastet e urgjencave gjatë ditës së zgjedhjeve. Ndërkohë që ekipi i mjekëve është dyfishuar për të pritur të dëmtuarit nëse situata degjeneron në grindje mes militantëve të forcave të ndryshme politike. Stafi i mjekëve do të punojë me kapacitet të plotë gjatë gjithë 28-29 qershorit. Mjeku Olldashi deklaroi se është dhënë urdhër që asnjë nga mjekët të mos lëvizë jashtë qytetit, por të qëndrojnë në pritje të thirrjes për ndihmë në rast se do të ketë dyndje pacientësh. Aktualisht Spitali Ushtarak ka marrë të gjitha masat në sigurimin e barnave dhe pajisjeve të tjera mjekësore që do të nevojiten për kurimin e të dëmtuarve. E njëjta situatë është krijuar edhe në QSUT, ku bluzat e bardha kanë marrë masa për rastet e të dëmtuarve.
E. Sako
29 Qershor 2009