E Shtunë, 31 Tetor 2026

Selmani priti ambasadorin e Kosovës

Nga Express më 28 prill 2011 në ora 20:00

Kryetari i Demokracisë së Re, Imer Selmani sot në selinë e partisë ka pritur Ambasadorin e Republikës së Kosovës, Skënder Durmishi.

Sipas njoftimit partiak, temë e bisedës ishin zhvillimet politike në Maqedoni dhe Kosovë dhe mundësitë e bashkëpunimit mes dy shteteve.

“Reforma kushtetuese me të cilën shqiptarët do të bëhen popull shtetformues dhe do të marrin hisen e tyre në këtë shtet, investime kapitale në infrastrukturë dhe biznesin e vogël dhe të mesëm dhe zgjidhje e kontestit rreth emrit në 100-ditëshin e parë të Qeverisë së ardhshme janë shtyllat kryesore të programit me të cilin do të kërkojmë legjitimitetin nga populli. Besoj thellë se këto zgjedhje janë historike, sepse duhet të kthejnë dinjitetin dhe krenarinë e lëkundur të shqiptarëve nga pushteti i VMRO-së dhe BDI-së”, ka thënë Selmani gjatë takimit.

Ambasadori i Kosovës, Durmishi ka përshëndetur veprimin politik të Demokracisë së Re dhe ka folur për raportet e mira që ka ndërtuar Maqedonia me shtetin e Kosovës dhe se ekziston klimë e volitshme për bashkëpunim të ndërsjellë mes dy vendeve për interesa të përbashkëta ndër-fqinjësore dhe integruese. Bashkëbiseduesit janë pajtuar se tejkalimi i krizës institucionale në Kosovë do të hap shtigje për koncentrim të politikave në rritjen e numrit të njohjeve, zhvillimi të ekonomisë dhe hapërimit drejt integrimeve në NATO dhe BE. (INA)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›