E Shtunë, 31 Tetor 2026

Seminar për përballimin e zjarreve

Rreziku i zjarreve dhe marrja e masave për përballimin
e këtij fenomeni gjatë verës, ka qenë tema e tryezës së
rrumbullakët të organizuar dje në Sarandë, nga qendra
shqiptare e monitorimit të medias, në bashkëpunim me
institucione të specializuara. "Zjarret, rreziku që nuk njeh
kufij", kjo ka qenë tema e tryezës së rrumbullakët të iniciuar
nga Qendra Shqiptare e Monitorimit të Medias, në bashkëpunim
me Qendrën Kërkimore për Zhvillimin Rural, si dhe
Drejtorinë e Shërbimit Pyjor në Sarandë. Takimin e çeli Hamdi
Jupe, në cilësinë e moderatorit, i cili ka theksuar se projekti
i BE-së në kuadër të "Cross Border" do shtrihet në rrethet
Sarandë, Gjirokastër e Korçë. Në takim u mbajtën tri kumtesa
nga profesorë të Universitetit të Tiranës, të cilët referuan
për frekuencën, tipologjinë dhe menaxhimin e zjarreve në
zonën kufitare Shqipëri-Greqi. Pasoja më e rrezikshme e
zjarreve është vlerësuar prishja e ekosistemeve në natyrë.
"Në verën e vitit 2008 janë shënuar 340 raste në shkallë vendi.
Ky është një vit i veçantë, jo vetëm se pritet një verë e
thatë e me rreziqe të shtuara për zjarre, por edhe se kullotat
dhe pyjet tashmë kanë kaluar në administrimin e qeverisjes
vendore", ka nënvizuar as. prof. Vasillaq Mine.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›