Durrës, shpërthen makina, plagoset shoferi dhe pasagjeri
Dy persona janë dëmtuar teksa makina me të cilën udhëtonin ka shpërthyer dhe ka dalë nga rruga. Ngjarja ka ndodhur në orët e mëngjesit të djeshëm. Klodian Hoxha dhe motra e tij me inicialet Xh. H., kanë pësuar dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit në kohën që autovetura e markës Audi me targa DR 6573 E ka shpërthyer.
Sipas policisë së Durrësit, autovetura ka qenë duke ecur në aksin rrugor Manzë-Sukth dhe në afërsi të fshatit Kullë, për shkaqe që ende nuk dihen, ka shpërthyer dhe si pasojë e shpërthimit, makina ka dalë nga rruga dhe ka rënë në një arë. Nga shpërthimi i makinës, por më shumë nga frika dhe pakujdesia, mjeti ka dalë jashtë kontrollit duke përfunduar jashtë rruge. Burimet policore bëjnë të ditur se Klodian Hoxha, 32 vjeç dhe motra e tij me inicialet Xh. H., 14 vjeçe, kanë pësuar dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit. Ata janë dërguar menjëherë në spitalin rajonal të Durrësit ku kanë marrë ndihmën e parë mjekësore. Sipas të njëjtave burimeve të dy personat e lënduar gjenden jashtë rrezikut për jetën. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur ekspertë të policisë, të cilët janë duke hetuar rreth shkaqeve që çoi në shpërthimin e këtij mjeti. Nga të dhënat e para mësohet se makina nuk ka marrë flakë në të gjithë pjesët e saj, por vetëm në pjesën e përparme. Mendohet se shpërthimi mund të jetë shkaktuar nga nxehja e motorit të mjetit Audi, ndërkohë që kabina ku gjendeshin dy pasagjerët nuk ka pësuar dëmtim të rëndë.