Gjirokastër, vidhen 7 ikona në kishën e Shën Gjergjit
Disa persona ende të paidentifikuar nga policia lokale kanë vjedhur në orët e para të ditës së djeshme, shtatë ikonat të skalitura të kishës së Shën Gjergjit, në fshatin Jorgucat, 25 kilometra në jug qytetit të Gjirokastrës. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër, kanë pohuar për gazetën SOT se mungesa e shtatë ikonave të skalitura dy prej të cilave i përkisnin shek XVIII dhe pesë ikona të shekullit XX është konstatuar në orët e para të mëngjesit nga mirëmbajtësi i kishës.
Sapo jemi njoftuar nëpërmjet sallës operative, në vendngjarje kanë shkuar ekspertët e kriminalistikës, të cilët kanë grumbulluar prova materiale të vyera për të zbuluar autorët që kanë kryer këtë akt të shëmtuar, janë shprehur burimet nga policia lokale, duke saktësuar se keqbërësit kanë hyrë përmes portës kryesore të kishës, duke e shqyer me mjete të forta. Ndërkohë, përgjegjësi i kishës së Shën Gjergjit, Kosta Franko, është shprehur për gazetën SOT se shtatë ikonat e grabitura ishin transferuar në këtë kishë pas vitit 1990 nga manastiri i Ilijas që ndodhet në pjesën sipërme të fshatit Jorgucatit dhe kjo u bë për arsye sigurie. Kisha e Shën Gjergjit është ndërtuar në vitin 1932. Ajo është e mbuluar me çati druri, pa tavan. Në pjesën lindore del jashtë absida e madhe trefaqëshe dhe anash saj janë hapur niket rrethore. Dyshemeja është shtruar me plloça guri, ndërsa muret janë ndërtuar me gurë të lidhura me llaç gëlqereje. Ky është rasti i parë gjatë këtij viti, që ikonat bien pre e grabitësve Qarkun e Gjirokastrës