Sëmundjet e seksit, ISHP ngre alarmin për të infektuarit
• Pak informacion e ndërgjegjësim nga qytetarët e për rrjedhojë shtim galopant i të prekurve. Sëmundjet seksualisht të transmetueshme, janë tashmë një prej problemeve më të mprehta të shëndetit publik.zirina llambroMë të rrezikuarit janë të rinjtë, të cilët kryejnë marrëdhënie të pambrojtura me disa partnerë. Alarmi ngrihet nga vetë specialistët e ISHP-së, të cilët bënë dje apel për më shumë sensibilizim dhe përdorim të kontraceptivëve nga popullata. Seminari i mbajtur në ditën e sensibilizimit për SST-në solli edhe një herë në vëmendje riskun nga sëmundjet e seksit. “Veç rritjes së infeksioneve me HIV/AIDS, për fat të keq po shohim një rritje të numrit të infeksioneve të tjera, seksualisht të transmetueshme si sifilizi, gonorra, klamidia, sidomos tek moshat e reja. Edhe pse vendi vazhdon të ketë probleme me raportimin e numrit të rasteve të sakta konstatimet tona çojnë në këtë konkluzion”, tha mjeku infeksionist, Arjan Harxhi. Sipas tij, rastet e raportuara kryesisht nga Tirana, i përkasin moshave të reja seksualisht aktive, individë të identifikuar si me sjellje të rrezikshme, të rinj që kryejnë marrëdhënie seksuale të pasigurta me multipartnerë. Specialistët e tjerë sqaruan gjithashtu se, problem mbetet mungesa e edukatës qytetare, për t’u mbrojtur prej tyre. Nga studimet e kryera rezulton se me sëmundjen e klamidias janë rreth 20% e grave në moshë riprodhuese, ndërsa 1 % e tyre vuajnë nga sifilizi, gonorra, apo herpes genitalis. Ndërkaq po sipas të dhënave të ISHP-së, rreth 83% e shqiptarëve nuk kanë informacion për këtë grup sëmundjesh dhe pasojat e rënda që kanë për shëndetin riprodhues. Madje, nga anketimi i kryer janë evidentuar dhe një sërë problemesh të tjera që lidhen me marrëdhënien në çift, apo pamundësinë ekonomike për t’u kuruar për shkak të kostos së lartë të shërbimeve. Kështu, rreth 55% e të anketuarve nuk e dinë se ku të drejtohen për t’u ekzaminuar, ndërsa në 47% të rasteve partneri, edhe pse mbartës i një prej sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, nuk ka pranuar të kurohet. Grupmosha që paraqitet më shpesh në spitalet publike dhe klinikat private në masën 70% është nga 21-30 vjeç, ndërkohë që pas të 30-ve vjen në ulje numri i femrave dhe meshkujve që vizitohen për këto probleme. Nga ana tjetër, për sifilizin, gonorren dhe klamidian, sëmundje këto të transmetueshme që janë shumë të rrezikshme, as në maternitete dhe as në klinika private nuk kryhen analizat për gratë shtatzëna. Sëmundjet seksualisht të transmetueshme numërojnë 25 lloje infeksionesh, ndër të cilat më të përhapura janë gonorrea, sifilizi, herpesi e myku.Të dhënat20% e grave në moshë riprodhuese vuajnë nga klamidia1% e grave në moshë riprodhuese janë prekur nga sifilizi e gonorrea83% e personave pohojnë se nuk i njohin SST55% e të anketuarve nuk e dinë se ku të drejtohen për t’u ekzaminuar 47% e rasteve partneri, edhe pse mbartës i një prej sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, nuk ka pranuar të kurohet70% e grave që ekzaminohen i përkasin moshës nga 21-30 vjeçe29% e të prekurve nga (SST) nuk kanë mundësi ekonomike për të blerë medikamentet e trajtimit