E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Reforma në ushtri, mbresëlënëse”

• Në prag të Samitit të Bukureshtit, NATO vlerëson reformën në Forcat tona të Armatosura. Komandanti i ri i Krahut Jugor të NATO-s, Admiral Mark P. Fitzgerald, tha dje në një konferencë të përbashkët për shtyp me Kryeministrin Berisha, se aftësia e forcave të armatosura për t’u reformuar ka qenë mbresëlënëse. Sipas Admiralit, Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë dhënë kontribut për sigurinë në të gjithë botën, duke shtuar se ato u transformuan nga një forcë prej 350 mijë ushtarësh në 15 mijë. “Jam shumë i impresionuar me përparimin e Forcave të Armatosura shqiptare. Aftësia e tyre për t’u transformuar dhe reformuar ka qenë shumë mbresëlënëse. Pjesëmarrja e tyre në shumë stërvitje dhe operacione reale të NATO-s ka dëshmuar kontributin e tyre jo vetëm për NATO-n, por për të gjithë botën”, tha Fitzgerald. Sipas tij, “ato kanë mbështetur operacionet e paqes në Afganistan, Irak, Bosnje, në operacionin Active Endeavour. Suksesi i Forcave të Armatosura është rezultat i një pune shumë të madhe që kryhet nga shumë njerëz. Është shumë e vështirë të transformosh një ushtri prej 350 mijë ushtarë në 15 mijë ushtarë profesionistë, por udhëheqja e këtij vendi e ka bërë këtë shumë mirë”. Gjatë takimit mes dy delegacioneve, Kryeministri Berisha u ndal në luftën e qeverisë dhe institucionet përkatëse kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kryeministri Berisha e njohu Admiral Mark P. Fitzgerald me reformat në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe të modernizimit të Forcave tona të Armatosura. Ai i bëri të ditur Admiral Mark P. Fitzgerald se ekonomia shqiptare, me një rritje prej 6%, bazohet mbi një paketë fiskale që e vendos atë në vendin me barrën më të ulët në Evropë. “Shqipëria qëndron e gatshme të dërgojë njësi shtesë në Afganistan dhe në Darfur. Kërkova ndihmën dhe mbështetjen e Komandës së Napolit dhe të NATO-s për Forcat tona të Armatosura, përgatitjen e batalionit që mund të shpaloset me shpejtësi e t’u përgjigjet kërkesave të NATO-s, si dhe ndihmën e saj për të përshtatur më mirë ushtrinë tonë në operacionet e shpëtimit brenda vendit”, theksoi Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›