Berisha prezanton arritjet te kongresmenët
• Kryeministri Berisha ka paraqitur dje para kongresmenëve amerikanë reformat e ndërmarra nga qeveria në prag të Samitit të Bukureshtit.Kreu i qeverisë theksoi se primare për qeverinë shqiptare vazhdon të mbetet lufta e patolerueshme kundër krimit, trafiqeve, korrupsionit dhe informalitetit. Kryeministri u shpreh se tanimë ekonomia shqiptare po ecën drejt progresit të dukshëm, si rezultat i zbatimit të një sërë masave, të cilat kanë bërë që vendi të shënojë një rritje ekonomike vjetore prej 6%. Berisha ka falënderuar gjithashtu përfaqësuesit e delegacionit edhe për mbështetjen për pavarësinë e Kosovës. Nga ana e tyre, kongresmenët amerikanë vlerësuan pozitivisht ecurinë e reformave gjatë këtyre dy viteve të fundit, si dhe shprehën mbështetjen e plotë të Kongresit amerikan për marrjen nga ana e Shqipërisë, të ftesës për anëtarësim në NATO, në Samitin e Bukureshtit.