E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ftesa në NATO, individuale”

• Samiti i Bukureshtit do të vendosë në mënyrë individuale për tre vendet e A3 që do të marrin ftesën për t’u anëtarësuar.ADI SHKEMBI Këtë e bëri të ditur dje kongresmeni John Tanner gjatë një vizite që po bën në Shqipëri një delegacion i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan në Asamblenë Parlamentare të NATO-s. Gjatë ditës së djeshme, kongresmenët amerikanë kanë pasur takime me Presidentin Bamir Topi, Kryeministrin Sali Berisha, Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe deputetët e Komisionit të Sigurisë. Në konferencën për shtyp, pas këtyre takimeve, kongresmenët amerikanë janë shprehur se samiti i prillit që do të zhvillohet në Bukuresht do të vlerësojë në mënyrë individuale ecurinë e secilit prej shteteve të kartës Adriatik 3. “Procedura e NATO-s është që çdo vend konsiderohet për meritat e tij të veçanta. Secili prej vendeve ka pasur planin e veprimit për anëtarësim në NATO, të cilin ata kanë qenë duke e zbatuar, por pavarësisht nga kjo”, theksoi kongresmeni Tanner gjatë konferencës për shtyp në përfundim të takimeve me krerët më të lartë të shtetit. Njëkohësisht kryesuesi i delegacionit të kongresit amerikan gjatë vizitës në Tiranë, la të kuptohet se ngjarjet e fundit që po ndodhin në Serbi dhe Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë nga kjo e fundit, nuk do të ndikojnë në fatin e tre vendeve që aspirojnë të marrin ftesën për në NATO. I pyetur se sa do të ndikojë situata në rajon, për tre vendet kandidate, Tanner tha se nëse Shqipëria, Maqedonia dhe Kroacia i plotësojnë deri në prill kriteret që duhet për të marrë ftesën, hyrja e tyre në NATO do të ishte pozitive. “Siç e thashë dhe më parë, dëshiroj të theksoj këtë pikë, rruga drejt anëtarësimit në NATO çon gjithashtu drejt stabilitetit, të drejtave të njeriut, stabilitetit politik, ekonomik dhe gjithë këtyre zhvillimeve të tjera pozitive. Ne mendojmë që, ndërsa këto vende aspirante plotësojnë kërkesat që nevojiten, standardet që nevojiten për anëtarësim në NATO, hyrja e tyre në NATO do të ishte diçka e mirë”, theksoi më tej kongresmeni amerikan. Ardhja në Shqipëri ishte edhe stacioni i fundit i turit ballkanik të kongresmenëve amerikanë, të cilët kanë qenë më parë në Kroaci dhe Maqedoni, ku kanë parë nga afër progresin e secilit prej këtyre vendeve. Kongresmeni Tanner konfirmoi edhe njëherë qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të mbështetur aspiratën e tre vendeve për të marrë ftesën për në NATO. “Kemi qenë për vizitë në Kroaci e Maqedoni dhe tani në Shqipëri si pjesë e kartës së Adriatikut. Mesazhi ka qenë pothuajse i njëjtë për të tre vendet, që vlerësojmë progresin që është bërë në fushën e reformave që nevojiten për të hyrë në NATO dhe i kemi nxitur që të vazhdojnë me shtyrjen më tej të këtyre reformave. Për sa i përket procesit të marrjes së ftesës në Samitin e Bukureshtit, ne nuk jemi vendimmarrësit e vetëm në lidhje me këtë çështje. Siç e dini, vendimet në NATO merren në bazë të parimit të konsensusit. Shpresojmë që vendet të marrin një ftesë, por ajo që unë them këtu, që kongresi i SHBA-ve i mbështet aspiratat për anëtarësim në NATO të Shqipërisë”, theksoi më tej kongresmeni amerikan Tanner. Kryetari i delegacionit të kongresmenëve amerikanë në Asamblenë e NATO-s, Xhon Tanner, gjatë takimit me kreun e shtetit u shpreh i kënaqur nga përparimi i dukshëm dhe transformimet rrënjësore që ka pasur vendi ynë, kontributi i dhënë për ruajtjen e paqes dhe qëndrueshmërisë jo vetëm në rajon, por edhe në misionet paqeruajtëse në mbarë botën dhe në koalicionin ndërkombëtar kundër terrorizmit. “Presidenti Topi përshkroi reformat dhe sfidat kryesore me të cilat përballet vendi ynë për të arritur standardet e kërkuara për anëtarësim sa më të shpejtë në NATO dhe Bashkimin Evropian, frymën e re të konsensusit dhe bashkëpunimit që po mbizotëron së fundmi në politikën shqiptare dhe nënvizoi besimin se Shqipëria është gati për të marrë ftesën e anëtarësimit nga Samiti i NATO-s, që do të mbahet në prill në Bukuresht”, thuhet në faqen zyrtare të Presidencës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›