E Shtunë, 31 Tetor 2026

Votë për ndryshim

• Eduard ZaloshnjaNë shtetin Virxhinia të SHBA-së, votuesit mund të marrin pjesë në zgjedhjet e brendshme të një partie edhe pa qenë anëtarë të saj.  Kështu, një virxhinian i pavarur, në datën 12 shkurt, kishte opsionin të votonte ose për një nga kandidatët presidencialë republikanë, ose për një nga ata demokratë. Atë ditë, në qoftë se do kisha patur mundësinë të votoja, votën do e kisha hedhur në Partinë Demokrate. Arsyeja? Senatori Barak Hysen Obama.Deri më sot, kurrë s’më kishte shkuar në mendje se do vinte një ditë që do desha të votoja për një politikan të majtë. Por ja që jam aq i lodhur nga politika konfliktuale që ka sunduar në SHBA gjatë viteve që në krye të Shtëpisë së Bardhë ka qenë ose një Bush, ose një Klinton, sa që do isha gati të mos votoja në Partinë Republikane - partinë nga e cila gjithnjë kam anuar. Dhe duke votuar për Obamën, kisha shansin të shtoja një tullë më tepër në murin që po ngrihet për të ndaluar udhëtimin e një Klintoni të dytë drejt Shtëpisë së Bardhë.  Para se të shkoja me studime në SHBA, kisha simpati të veçantë për Xhorxh Bushin (të vjetrin), sepse ai kishte qenë presidenti që kishte udhëhequr botën demokratike në luftën fitimtare kundër dy formave më të egra të diktaturave, asaj komuniste në Evropën Lindore dhe asaj fashiste në Gjirin Persik. Dhe, në fakt, edhe shumica dërrmuese e amerikanëve kishin një opinion pozitiv për presidentin e tyre. Por me fillimin e vitit 1992, filloi edhe sezoni politik i zgjedhjeve presidenciale, ndërkohë që ekonomia amerikane filloi një tkurrje të përkohshme. Dhe atëherë, unë e njoha Bushin si politikan. Në vend që të preokupohej për të zbatuar politika që do ndihmonin ekonominë amerikane të dilte nga kriza, ai e përqendroi vëmendjen te sulmet politike ndaj rivalit të tij në garën presidenciale, Bill Klinton. Sa për ekonominë, ai mendonte se amerikanët do ia falnin dhimbjet e përkohshme që po u shkaktonte kriza, për faktin se ai kishte qenë udhëheqësi që kishte vulosur rënien e perandorisë komuniste. Ndërkohë, Bushi e quante publikisht Bill Klintonin një klloun cirku.Nga ana tjetër, edhe Bill Klinton nuk ishte më i pakët. I veshur me mantelin e një politikani progresist, ai u mundua të jepte mesazhe pozitive në fushatën presidenciale. Por sidoqoftë, herë pas here, lëshonte edhe shigjeta të hidhura, të cilat ishin shenja paralajmëruese të llojit të lojës politike që ai do lunte më vonë. Dhe shpejt pas vajtjes në Shtëpinë e Bardhë, u pa qartë se Klintoni nuk do ishte një udhëheqës bashkues. Në themel të lojës politike të tij ishte dëshira për të manovruar pas shpinës së kundërshtarëve. Si rezultat, dy vjet pas vajtjes në Shtëpinë e Bardhë, partia e tij i humbi zgjedhjet legjislative me diferencë të ndjeshme.Duke qenë një politikan i tejzgjuar, Klintoni diti të ndryshojë taktikat e tij, e si rezultat, u rizgjodh president. Por sidoqoftë, politika konfliktuale mbeti një konstante e presidencës Klinton. Për më tepër, ai mbeti një dandy trazovaç, i cili bënte seks me Monika Luinskin, ndërkohë që Arafati priste në zyrën e tij, ose që luante me letra deri në dy të natës, kur të nesërmen në mëngjes e priste një takim apo fjalim i rëndësishëm.Rikthimi i një Bushi në Shtëpinë e Bardhë dha fillimisht shpresë, se politikës konfliktuale të dekadës së mëparshme do i vinte fundi në SHBA. Kjo, sepse Bushi i ri fitoi me moton “Unë jam një bashkues, jo një përçarës”. Por detanta politike nuk zgjati shumë. Pas iniciativës bipartizane të sponsorizuar nga Presidenti Bush dhe Senatori Kenedi për përmirësimin e arsimit publik, të gjitha iniciativat e tjera ekzekutive në politikën e brendshme ishin të njëanshme dhe përçarëse.Tani, pas 2 dekadave të qeverisjes nga binomi Bush-Klinton, duket se amerikanët nuk duan që ky binom të vazhdojë të udhëheqë më vendin. Me moton “Kemi nevojë për një politikë të re, e cila i jep zgjidhje problemeve të qytetarëve të thjeshtë, pavarësisht nga etiketat ideologjike të majta apo të djathta”, Obama po galvanizon votuesit e pavarur. Sepse këta votues janë tejlodhur nga lufta politike mes së djathtës e së majtës. Ndërsa me stilin e tij modern të të bërit fushatë, Obama po tërheq gjithnjë e më tepër votuesit e rinj, të cilët tradicionalisht janë apatikë ndaj zhvillimeve politike. Dhe sa më shumë takime elektorale ai bën anekënd Amerikës, aq më shumë votuesit kanë shansin ta njohin atë nga afër, e si rrjedhim, të bëhen përkrahës të tij të vendosur.  Me pak fjalë, orteku Obama, nga dita në ditë, po vazhdon të mbledhë rreth tij votat për ndryshim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›