Topi dekreton kreun e përkohshëm të Akademisë
• Presidenti Bamir Topi ka dekretuar gjatë ditës së djeshme kryetarin e përkohshëm të kryesisë së Akademisë së Shkencave.Zyra e shtypit e Presidentit bën të ditur se në këtë post është dekretuar Teki Biçoku, i cili është anëtar i Asamblesë së Akademisë së Shkencave. “Në mbështetje të nenit 92, pika g, të Kushtetutës, si dhe të pikës 1, të nenit 11, të ligjit nr. 9853, datë 26.12.2007 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9655, datë 11.12.2006 “Për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë”, dekretoj: Teki Biçoku, emërohet kryetar i Kryesisë së Përkohshme të Akademisë së Shkencave”, thuhet në dekretin e publikuar dje në faqen zyrtare të kreut të shtetit. Presidenti Topi ka shmangur një përplasje të institucionit që ai drejton me Akademinë e Shkencave, pas propozimit të kësaj të fundit për të emëruar ish-presidentin Rexhep Meidani në postin e kryetarit të Akademisë së Shkencave. Por Topi ka pritur hyrjen në fuqi të disa ndryshimeve në ligjin për Akademinë e Shkencave, i cili ndryshon tërësisht mënyrën e veprimtarisë dhe organizimit të kësaj akademie. Kështu, sipas ndryshimeve të miratuara së fundi, riorganizimi i Akademisë do të zgjasë rreth një vit nga hyrja në fuqi e ligjit. Riorganizimi i Akademisë do të drejtohet nga Komiteti i Reformimit të Akademisë së Shkencave, ndërsa veprimtarinë do ta drejtojë Kryesia e Përkohshme e Akademisë. Komiteti i Reformimit të Akademisë ka të drejtën që t’i çojë kreut të shtetit dy emra për të zgjedhur për kryetarin e Kryesisë së Përkohshme të Akademisë. Burime nga Akademia e Shkencave bëjnë të ditur se Komiteti i Reformimit, i drejtuar nga zv.kryeministri Oketa, ka çuar së bashku me Teki Biçokun edhe Alfred Uçin. Por kreu i shtetit ka zgjedhur pikërisht emrin e parë për këtë post. Prej disa kohësh, para hyrjes në fuqi të ligjit të Akademisë së Shkencave, përfaqësuesit e kësaj të fundit i kanë kërkuar Presidentit Bamir Topi të dekretojë Rexhep Meidanin në postin e kryetarit të Akademisë. Por ky i fundit nuk është shprehur zyrtarisht lidhur me këtë çështje, me argumentin se nuk është i kushtëzuar me Kushtetutë për ta dekretuar.