E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atentat te “Ali Demi”, plagoset me armë një person



TIRANË – Dy persona kanë rënë pre e një atentati në lagjen “Ali Demi”. Ora shënonte rreth 16:30 kur banorët kanë dëgjuar të shtëna armësh kundrejt dy personave. Ngjarja ka ndodhur pranë restorant “Pirro Mani”, ku një person i paidentifikuar ka qëlluar me armë kundrejt dy personave, të cilët kanë mbetur të plagosur. Sipas burimeve të policisë mësohet se të dy personat që ishin pre e atentatit me armë ndodheshin në automjetin “Benz”, me targa TR 13 80 L. Uniformat blu, që mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes, kanë shoqëruar për në spital dy të plagosurit. Fillimisht nuk ishin bërë verifikimet e personave, por më pas burime policore konfirmuan se ishin Roland Domi dhe Çlirim Koroshani. Po të njëjtat burime thanë se objekt i qitjes me automatik ka qenë Domi, pasi edhe të shtënat kanë qenë në krahun e shoferit, ndaj dhe ky i fundit është në gjendje të rëndë shëndetësore. Çlirim Koroshani, personi tjetër i ndodhur në automjet, ka marrë plagë më të lehta. Ende nuk ka një version të saktë mbi motivet e kësaj ngjarjeje, e cila ka tronditur një nga lagjet kryesore të Tiranës. Gjithashtu, në vendin e ngjarjes janë pozicionuar uniformat blu, të cilat kanë izoluar zonën dhe kanë nisur hetimet dhe verifikimet e nevojshme. Dëshmitarë të ndodhur në vendin e ngjarjes thanë për gazetën se janë dëgjuar vetëm dy të shtëna dhe pas tyre kanë parë të ikte më shpejtësi atentatori.

Prokuroria, në hetim dy persona për abuzime me pensionet

TIRANË - Prokuroria e Tiranës filloi të shtunën shqyrtimin e materialeve denoncuese në ngarkim të dy personave që dyshohet se kanë përfituar pension pleqërie në mënyrë të paligjshme, bënë të ditur burime zyrtare nga kjo prokurori. Sipas tyre, në prokurori janë denoncuar së fundi nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore Tiranë për “vjedhje me anë të mashtrimit" shtetasit: Xhemal Lika, 60 vjeç dhe Xhemal Lala, 47 vjeç, banues në Tiranë. Shtetasit e sipërcituar dyshohen se kanë përfituar pension duke mashtruar për vjetërsinë në punë me anë të dokumentacionit. Nga të njëjtat burime mësohet se në Prokurorinë e Tiranës po hetohen një sërë rastesh për abuzime me pensionet e pleqërisë ose të parakohshme. Me dhjetëra persona janë paditur nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore për falsifikim te dokumenteve zyrtare për përfitim pensioni.

Ngjarja në Kashar, pritet raporti mjeko-ligjor i kufomës

TIRANË - Instituti i Mjekësisë Ligjore pritet të dalë javën e ardhshme me raportin përfundimtar mbi autopsinë e kufomës së shtetasit Gani Kamberi, i cili u gjet i vdekur tetorin e vitit që shkoi me një plumb në pjesën e pasme të kokës në Komunën e Kasharit, pak kilometra larg Tiranës. Kufoma e Gani Kamberit, e cila u zhvarros para tri ditësh me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, pas pretendimeve të familjarëve se i afërmi i tyre është vrarë, po i nënshtrohet ekzaminimit mjeko-ligjor. Burime nga Prokuroria pohuan dje për gazetën “Albania” se grupi hetimor, krahas procedimit me dëshmitë për këtë ngjarje, mbetet në pritje edhe të raportit të Mjekësisë Ligjore, që pritet të dalë nga java që vjen. Prokuroria e Tiranës ka ngritur së fundi hipotezën se shtetasi Gani Kamberi, 50 vjeç, është vrarë, përkundër asaj të ngritur në fillim se ai, i kishte dhënë fund jetës në kushtet e një depresioni. Trupi i pajetë i 50-vjeçarit Kamberi u gjet tetorin e vitit 2007 buzë një përroi në komunën e Kasharit. Në vendin e ngjarjes hetuesit gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip pistoletë, por pa mundur të gjejnë gëzhojën. Kufoma e Gani Kamberit u zhvarros ditët e fundit për t’iu nënshtruar edhe njëherë ekzaminimeve nga ana e ekspertëve të Institutit të Mjekësisë Ligjore.

19 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›