Çështja “Broun”, ekstradohen nga Anglia dy të akuzuarit e tjerë
Luan Kondi
TIRANË – Ekstradohen dy të pandehurit e tjerë të çështjes “Broun”. Zyra Qendrore e Interpol Tiranës realizoi parmbrëmë ekstradimin nga Londra të dy shtetasve britanikë, Dino Kristodolou dhe Robin James Arnold, të akuzuar për marrëdhënie seksuale me të mitur. “Postimi” i këtyre personave drejt Shqipërisë erdhi pak pas vizitës së drejtuesit të Prokurorisë në Britaninë e Madhe, Kent Macdonald. Madje në takimin që ky i fundit pati me homologen shqiptare Ina Rama u shpreh se autoritetet Britanike kishin miratuar kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme, për ekstradimin në Shqipëri të dy shtetasve britanikë, Dino Kristodolou dhe Robin James Arnold, të cilët akuzohen për “marrëdhënie seksuale me të mitur”.
Ekstradimi
Zyra e shtypit pranë Policisë së Shtetit sqaroi dje se ekstradimi i tyre u bë pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimet e marra më datë 13.02.2007 dhe më datë 28.06.2007, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për shtetasit Dino Kristodolou, 45 vjeç, dhe Robin James Arnold, 56 vjeç, për veprat penale “marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”, të parashikuara nga neni 100 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Të dy këta persona janë gjykuar deri tani në mungesë në procesin gjyqësor të hapur në ngarkim të tyre nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë së bashku me David Broun. Pas bashkëpunimit të Interpol-Tirana me Interpol Londra, Angli u bë i mundur lokalizimi, arrestimi i tyre dhe vënia përballë drejtësisë për veprat e kryera. Në Aeroportin e Rinasit këta shtetas i janë dorëzuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Ngjarja
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, mbi bazën e kallëzimit të bërë nga shtetasja holandeze Jacoba Dikken, më datë 15 maj 2006 ka filluar procedimin penal për veprën penale të “marrëdhënies homoseksuale me të mitur” parashikuar nga nenet 100 të Kodit Penal. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se: I pandehuri John David Broun është shtetas anglez i lindur në Bridlington, Angli, dhe është me profesion inxhinier elektromekanik. Në vitin 1999 ai është angazhuar në një lëvizje që kishte filluar kisha skoceze dhe nga individë të ndryshëm për të ndihmuar popullsinë e Kosovës. Më 19 maj 1999 ai ka hyrë në Shqipëri si shofer me një vargan automjetesh që kishin ardhur me ndihma për refugjatët. Gjatë qëndrimit për një javë ai ka frekuentuar lokalin te qendra “Stefan” në Tiranë. Në qytet i pandehuri John David Broun ka parë
disa fëmijë romë dhe është prekur nga varfëria e tyre dhe për t’iu ardhur në ndihmë ka filluar të kontaktojë me disa të huaj të tjerë që ishin punonjës të qendrës për fëmijë SHEFT (Shtëpia e Fëmijëve Kristianë). Nga viti 1999 deri në vitin 2001, Broun ka ardhur dy herë në Shqipëri, ku ka kontribuar me ndihma në qendrën “SHEFT”. Në qershor 2001 është formuar fondacioni “Fëmijët e tij”, me vendim nr. 3780 të datës 29.06.2001 është regjistruar si person juridik. Fondacioni “Fëmijët e tij” ka hapur një qendër për të ndihmuar fëmijët, ku ka pasur selinë në disa banesa të
marra me qira dhe tani në fund ka qenë vendosur në Lagjen 46, rruga “Dervish Hekali”, në banesën private nr. 32, Tiranë. Në këtë qendër të quajtur përsëri me emrin “Fëmijët e tij” mbaheshin fëmijët e braktisur dhe në nevojë ekonomike, kryesisht të moshës nga 2-14 vjeç. Qendra funksiononte mbi bazën e vullnetarizmit të personave të ndryshëm shqiptarë dhe të huaj. Kryesisht kjo qendër ishte ndihmuar nga persona me nënshtetësi të huaj që kanë ardhur në Shqipëri pasi janë vënë në dijeni përmes adresës së internetit www.hischildren.co.uk. Në këtë adresë që është hapur Broun pasqyrohen të dhëna rreth veprimtarisë së kësaj qendre, personalit të saj dhe biografisë së fëmijëve që ndodheshin të strehuar. Pas një periudhe të aktivitetit të qendrës ka pasur
konflikte ndërmjet anëtarëve të bordit drejtues dhe të pandehurit John David Broun, pasi ata nuk ishin dakord për mënyrën e drejtimit të qendrës, kushtet dhe trajtimin që u bëhej fëmijëve nga i pandehuri.
19 Maj 2008