Misioni i pakompletuar afgan
Pëllumb Zaimi
Lajmet nga batalioni special i Forcave të Armatosura nuk janë të mira. Edhe pse ky batalion radhitet në forcat elitare ushtarake, madje në forcën e parë të vendit për të kryer misione të vështira dhe shumë të vështira, trajtimi i efektivit oficer dhe nënoficer të kujton trajtimin ditor 46- lekësh të rezervistëve të dikurshëm. Ne ushtarakët që i kemi jetuar ato kohë dhe që e dëgjonim shpesh shpotitjen e njeri –tjetrit me batutën e “ surratit 46- lekësh “, sot kur dëgjojmë gjendjen logjistiko- financiare të efektivave të një ushtrie që pretendon të jetë bërë anëtare e NATO-s nuk na mbetet gjë tjetër përveçse të themi: “të keqen e 46- lekëshit’. Atëherë ushqimi ishte i racionuar dhe i pakët, por ama ç’është e vërteta një gjë nuk mund të mohohet kurrë, - atëherë “mishit i thoshin mish dhe ishte vërtet mish e fasules i thoshin fasule se ishte vërtet fasule”. ndërsa sot nuk dihet se ç’janë!? Mund të hash tërë ditën mish e të mos të të këtë rënë era mish fare, siç mund të hash tërë ditën fasule e të të duket se ke ngrënë kashtë.
NATO-ja s’preket gjëkundi. jo vetëm në të dhënat alimentare të ushqimeve që marrin ose hanë oficerët e nënoficerët e batalionit special por as në faktin se kërkush nuk e kontrollon dhe evidenton fuqinë kalorifike, proteinike, vitaminoze, glukoinike të tyre,- e ku di unë çfarë. Efektivi ha e merr çfarë t’i japin, çfarë i sjellin firmat, çfarë ka nga ana sasiore kontrata, ndërsa për cilësinë s’është dëgjuar ndonjëherë nëse ka ndonjë laborator që verifikon të gjithë parametrat e nevojshëm, parametra ku është evidentuar fjala vjen deri dhe përmbajtja e mikro-elementëve ushqimorë antistresantë. Trupave special “Rejnxhër “ të ushtrisë amerikane ju përjashtohen kategorikisht produktet ushqimore të modifikuara gjenetikisht dhe pa bazë natyral – organike.
Duhet patjetër dhe një studim kapilar i produkteve. Duhet duke pasur parasysh se forcat speciale, për vetë natyrën e misioneve të tyre, ndeshen në gati 80 përqind të kohës me situate stresante dhe u nënshtrohen aksioneve stërvitore e luftarake me shkallë vështirësie e rrezikshmërie të lartë. Faktori kryesor në kurorëzimin e këtyre misioneve sipas të gjitha tezave doktrinore perëndimore e lindore është morali, por sidoqoftë, edhe po ta marrim se do të kemi nënoficerë dhe oficerë të njëjtë me këtë vlerë shpirtërore, me siguri që nuk do të kemi të njëjtat aftësi luftimi ku disa hanë çaj me djathë dhe disa të tjerë – po themi mish, fruta e zarzavate. Ndërsa s’kemi farë të dhëna se çfarë aftësish mund të “ gatuhen “ kur ushtarakët specialë do të jenë konsumatorë OMGJ-sh.
Batalioni special i ushtrisë shqiptare po përgatitet për rolin e tij si “ trupë luftimi “ dhe nga fundi i korrikut ose fillimi i gushtit do të stacionohet për të ndërhyrë në zonat e nxehta të Afganistanit. Me pak fjalë, do të përleshet drejtpërsëdrejti me talebanët. Deri tani asnjë kontigjent i Ushtrisë shqiptare nuk ka kryer misione të tilla. Roli kryesor i tyre ka qenë në funksionet ndihmëse si: paqeruajtja, patrullimi, ruajtja e objekteve, angazhimet logjistike, etj. Tani ky rol ndryshon krejtësisht. Mirëpo kalimi nga “trupa ndihmëse “në “trupa luftimi” shënon një pikë të rëndësishme kthese e cila kërkon trajnim të fuqishëm stërvitor. Plumbat e predhat për trupat e luftimit nuk do të vijnë si jehonë e largët, siç ndodh në bazat logjistike, por do të vijnë si fishkëllima e ulërima të mprehta nga një kundërshtar ballor që s’ka qëllim tjetër përveçse të të rrëmbejë jetën. Rreziku i asgjësimit do të përjetohet çdo çast.
Thuhet se batalioni special i ka mbërritur parametrat dhe standardet e ndeshjes me armikun “sy më sy”. Qitja e besimit, një qitje kjo mjaft e rrezikshme, sepse qëllohet mbi tabelën që e mban me njërën dorë kolegu yt, i ka mundësuar të dyja palët ( qitësin dhe mbajtësin e tabelës ) të kalojnë “provën e zjarrit”, d.m.th një provë lufte të vërtetë. Mund ta vrasësh kolegun në çdo çast nëqoftëse arma të dridhet apo të zhvendoset sadopak. Një milizim gabim (1 milimetër baraz me 2 milizim ose 1 milizim baraz me një të njëmijtën e metrit) dhe në vend që të qëllosh tabelën qëllon kolegun që e mban atë.
Mirëpo parametrat e qitjes me saktësi të lartë dhe në kushte të tejskajshme të qëndrueshmërisë psikologjike nuk janë veçse një pjesë e atyre aftësive komplekse që kërkohen për një luftëtar. Duhen para së gjithash aftësi morale. Në këtë pikë, duket se ka tronditje, mungesë gatishmërie e besimi, pakënaqësi në lidhje me kujdesin shtetëror e ministror i cili reflektohet dobët. Fakte të shumta sjellin pohimin se hierarkia e lartë nuk e ka aq shumë merak përcjelljen dhe dëgjimin e shqetësimeve të “efektivit luftues” sa ka përcjelljen e pështymës në gurmaz dhe seleksionimin e atyre lajmeve të fushëbetejës që mund t’u ndikojnë karrierën. Nuk ka veçse pak ditë që në kuadrin e parapërgatitjes për misionet luftarake në Afganistan, një kontigjent prej 32 vetash, i batalionit special u trajnua në Kroaci së bashku me trupat e luftimit të disa vendeve të tjera të paktit euro-amerikan. Stërvitja ka qenë cilësore, me intensitet të lartë dhe me diversitet taktik të përafërt me atë që do të përjetohet gjatë ndeshjes me teatrin tokësor e formacionet kundërshtare afgane.
Mirëpo, cili është kujdesi i Ministrisë sonë të Mbrojtjes dhe i Shtabit të Përgjithshëm? Oficerëve dhe nënoficerëve të kontigjentit u jepeshin 12 euro në ditë (rreth 1500 lekë shqiptare). “ Ishim financiarisht më inferiorët e të gjitha kontigjenteve të ushtrive të tjera”, – thotë oficeri F. V. “Na vinte turp të shoqëroheshim në qytet, në kohën e lirë, me ushtarakë të ushtrive partnere”, - thotë nënoficeri B. D. “Druheshim se mos krijoheshin rrethana shoqërore për tu futur në ndonjë lokal të “kripur” dhe s’do të kishim të paguanim ç’ka do të bëhej shkak për krijimin e imazhit negativ të ushtarakut shqiptar. Një sanduiç, edhe në lokalin më të lirë, kushtonte tri euro, ndërsa kafeja dy euro”. “Nuk dilnim nga kazerma nga frika se s’do të na dilte hesapi ditor”, – vazhdon bisedën nënoficeri S. P.
Çfarë fryme luftarake do të ketë ky oficer e nënoficer kur të vendoset në tokën afgane? Me siguri të ulët. Të ulët sepse ai ka ndjerë përkrahjen e dobët të shtetit qysh në fazën përgatitore. I dhanë ca “kacidhe” dhe kaq.
Gjatë gjithë kohës trajnuese ndjente se ishte në pozita financiare inferiore ç’ka nuk mund të mos e ketë shtyrë drejt pyetjes “pse shteti ynë nuk bën atë që bën për kolegun partner shteti i tij”?. “A do të vemë për të njëjtin mision dhe a do të kemi përballë të njëjtat sfida?”; “Përse rreziqet e mija, por dhe sakrificat e stërvitjes, pa asnjë ndryshim nga ato të të tjerëve çmohen më pak?”.
Ironia shtetërore për ushtarakun special është akoma më e madhe në vendin e tij. Këtu kjo ironi shfaqet me “pash” në Kroaci, i duken vetëm “kambalet “. Kjo ironi shkon deri në atë cak sa nuk preken as kuotat ditore të një nëpunësi të rëndomtë të administratës shtetërore. Për këtë nëpunës, kjo diete shkon deri në 5 500 lekë të reja në ditë, d.m.th., mbi tri herë më shumë. Dhe mendo pastaj o ushtarak i misioneve të jashtëzakonshme, të sakrifikosh për sigurinë e vendit tënd!!!. Le të përfytyrojmë për një çast, çfarë do të ndodhë pas propozimit të një oficeri special për ndërrimin e roleve: nëpunësit me gjithë dietat e majme në Afganistan dhe specialistët me eurot “kroate” të varfërisë, - në administratë. Si thoni, se është rezultati? Mua ushtarakut të vjetër më vjen ndërmend një përgjigje që ka të bëjë me “brekët” por po e lëmë për një herë tjetër.
Atëherë kur ndërrimi i roleve të ketë ndodhur…!!!
Inferioriteti i dëmton aftësitë luftarake dhe ca më tepër ato morale. Oficeri dhe nënoficeri ynë special do të kenë një lloj qasje ngurruese në luftim për shkak se inferioriteti frenon. Psikologët ushtarakë thonë se inferioriteti është diferencues në një mjedis e formacion ushtarak bashkëveprues. Ushtarakët tanë specialë në Afganistan do të rreshtohen nën komandën e oficerëve dhe të trupave kryesore ushtarake ( amerikane, gjermane, angleze, etj.) dhe kjo do ta bëjë prezent diferencimin. Po, cila do të jetë pasoja luftarake e këtij diferencimi ose, cili do të jetë negativiteti i tij? Psikologët ushtarakë bashkëkohorë e kanë thënë këtë në studime të tjera të cilat nuk kemi pasur mundësi t’i shtiem në dorë. Në këtë pikë, duhet të na vijnë në ndihmë studimet e psikologëve tanë ushtarakë, por megjithë investigimet tona, ende nuk e kemi diktuar ekzistencën e tyre në ushtrinë shqiptare. As universitetet tona nuk kanë ndonjë sektor studimi për psikologjinë ushtarake megjithë gatishmërinë proverbiale të shtetarëve tanë për të eksportuar forca ushtarake, të cilat parasëgjithash, kanë nevojë për mbështetjen dhe orientimin e metodave psikologjike. Po nuk u fitua mendja dhe shpirti i ushtarakëve është shumë zor të fitohet misioni. Ushtarakët tanë specialë nuk e kanë fatin e kolegëve të tyre që para, gjatë dhe pas misioneve “ku luhet me kokën”, t’u nënshtrohen testeve për përgatitjen dhe qëndrueshmërinë psikologjike. Nuk dinë si mposhtet frika, inferioriteti, paniku, mungesa e guximit apo si kultivohet vetëbesimi, besnikëria ndaj detyrës, ndjenja e dinjitetit personal, disiplina përballë rrezikut, imazhi i përfaqësuesit ushtarak të shtetit shqiptar, etj. Me sa duket, i vetmi test i bërë deri tani është “testi i durimit me 12 euro “. Në proces janë dhe disa teste të tjera që, në mungesë të psikologëve e sociologëve, i kanë marrë në dorë gjeneralët. Ka nja dy muaj, e më tepër, që me specialët po provohet “durimi i llojit taleban”, duke mos i larë ata. Nuk dihet kush i ka prishur të gjitha dushet e batalionit special, por një gjë dihet me siguri: një gjeneral po eksperimenton tezën e përshtatjes së specialëve me mjedisin jetësor taleban si parakusht për t’i luftuar ata me sukses. Mesa duket, hapi i parë i përshtatjes do të jetë veshja e ushtarakëve tanë me fustanë talebanikë dhe jo me kostume kamuflazhi. ǒka do të përbëjë atë anë të eksperimentit që do të zëvendësojë e kompensojë mungesën e higjienës trupore me ajrosjen natyrale.
Ana tjetër që dëmton ndjeshëm aftësitë, moralin dhe predispozicionin luftarak të trupave speciale është mungesa totale e masave për sigurimin e jetës së 45 oficerëve e nënoficerëve që, sipas deklaratës së Ministrit të Jashtëm shqiptar në Konferencën e korrikut për Afganistanin,”…do të angazhohen në operacione të rrezikshme”. Ikin në front dhe shpinën e kanë të zbuluar. Nuk iu ka thënë kush çdo të bëhet më bashkëshortet, me fëmijët, me prindërit e tyre nëqoftëse ata i rrëmben rreziku!? Kush do të kujdeset për ta? Kush dhe në ç’masë do t’ua heqë barrën e aksidentimit, të plagosjes, të paaftësimit shëndetësor dhe fizik, ndoshta dhe të sakrifikimit të pashmangshëm të jetës!? Kush dhe me se do t’i kompensojë privacionet që vijnë nga të qenit me “kokë në torbë”. Specialët nuk i dinë përgjigjet e këtyre pyetjeve dhe nuk guxojnë të pyesin. Të gjithë flasin se hierarkia e lartë politike dhe ushtarake ka kërkuar që për këtë temë të mos pyesin dhe të mos u jepet përgjigje…! Të gjithë revoltohen por dhe tremben nga mungesa e garancive për jetën. Hera-herës shfryjnë se do të heqin dorë nga misioni por duke mos pasur të qarta pasojat e një akti të tillë gjithsesi tërhiqen. Humbasin në dilemën morale të pasigurisë. Druhen se mos turpërojnë vendin! Të parët e vendit nuk druhen se po turpërojnë përfaqësuesit e sigurisë së tij.
Për misionin afgan “specialëve” do t’u jepet një pagë ditore prej 12 000 lekësh. Për çdo pagë të tillë do të tatohen 10 përqind. Asnjë ushtarak i ushtrive partnere nuk tatohet kur shkon në mision luftarak. Qeveritë dhe hierarkitë e tyre militare e kanë aq përgjegjësi e moral sa të mos vendosin “ taksë koke” për ata që nesër mund ta lënë atë. Dhe, po të mendosh që ushtaraku i tyre paguhet pa u taksuar nja dhjetë herë më shumë në ditë se ushtaraku ynë, merret me mend se çfarë takse absurde është kjo. Që këtu, ky ushtarak fillon të përjetojë, jo vetëm stresin psikologjik të mosvlerësimit të barabartë për detyra të barabarta, por dhe atë të poshtërimit nga shteti i vet, - të gjendjes së tij poshtëruese. Nuk ka gjë më fyese për një luftëtar sesa ajo që përjetohet në rastin kur varfëria e detyron atë të marrë parasysh vdekjen dhe shteti nxiton t’i vjelë varfërinë e kësaj sakrifice ekstreme.
Para nisjes në betejë është njerëzore që luftëtari apo ushtaraku të çmallet me familjen, të kujdeset për mbulimin e boshllëqeve të largimit, të përgatisë shpirtërisht bashkëshorten dhe fëmijët për të qenë të fortë, pavarësisht se ai do të bëhet në një farë mënyre pjesë e elegjisë së “Përtej urës së Qabesë “ etj. Mirëpo, si me gjithë çështjet e tjera, ndodh ajo që është e papranueshme për natyrën njerëzore, sidomos për ushtarakët. Ndarja e tyre nga familjet në shumicën e rasteve nuk është si ajo e një çifti të dashuruarish, që herët a vonë do të takohen përsëri. Ndarja e tyre përmban dy elementët e kundërt të kësaj mundësie. Brenda përshëndetjes ndarëse mund të jetë edhe kuptimi i përkohshmërisë së saj, ashtu siç mund të jetë dhe kuptimi i ndarjes, ndoshta pa kthim. “ Mirupafshim” dhe “lamtumirë” janë dy fjalë që pavarësisht nga dëshira e ushtarakut për të zgjedhur të parën kjo ka njëkohësisht dhe kuptimin e konotacionin emocional të së dytës. Ai mund të mos kthehet, por e nënkupton dhe nuk e thotë. Prandaj “çmallja” e ushtarakut meriton vëmendje të veçantë. Nuk i del as një ditë, as një javë. Një ditë para betejës atij i duket si një minutë. Një leje para betejës, bile një leje vjetore është e pamjaftueshme për të kompletuar kërkesat elementare të familjes dhe për ta parapërgatitur veten, të bashkëjetojë me dukuritë e ndryshimit psikologjik që sjell misioni i ri luftarak. Në këtë pikë, çështja ka ngecur. S’janë veçse pak ditë nga çasti kur do të zëvendësohen komandat e stërvitjes me fishkëllimën e plumbave dhe kontigjenti special prej 45 luftarakësh nuk ka marrë lejen e zakonshme. Lejen që oficerëve të shtabit të batalionit t’u dalë mërzitja dhe që po tentojnë ta nxjerrin me shtimin e dozave të alkoolit. Lejen për të gjetur qetësinë dhe për të zbutur stresin, i cili po i konflikton me vartësit. Lejen për të rigjeneruar forcat dhe për të bërë “do punë”, që nuk mund të presin deri në kthimin e tyre, më e pakta pas 6-muajsh. Por, edhe një “leje” për të plotësuar disa boshllëqe ushtarake të atyre nënoficerëve dhe oficerëve që s’dihet se si janë planifikuar të rreshtohen në formacionet luftarake, pa kaluar kursin e detyrueshëm trajnues të forcave speciale. Pa qenë “specialë” e kanë të vështirë shmangien e rrezikut të rënies në kurthet talebane. Kundërshtarët e armatosur të “vendit të hashashit” janë ndër lojtarët më të rrezikshëm të narkotrafikut, kanë një eksperiencë të gjatë luftërash kundër të të huajve dhe favorizohen nga terreni, plot e përplot me gracka natyrale. Këto kushte nuk pranojnë trupa të papërshtatura, me ekstremet e ballafaqimit luftarak. Kjo është kërkesa e parë e miratimit të statusit të një speciali. Me një kërkesë të zbutur ka shkuarje në mision dhe kthimi nuk garantohet.
Para pak ditësh, ,inistri i Mbrojtjes foli për misionet luftarake ndërkombëtare të trupave tona dhe përmendi Afganistanin; përmendi detyrimet tona ndërkombëtare për dërgimin e trupave, por nuk tha asnjë fjalë për detyrimet e shtetit ndaj efektivave të tyre. Hiç nuk përmendi kryesoret: shkallën e aftësimit luftarak, kushtet e pagesës e të jetesës, kohezionin epror- vartës , standardet dhe testet e përgatitjes morale dhe psikologjike. Oficerët dhe nënoficerët e batalionit special kanë shumë ankesa të cilat, ministri dhe vartësit e tij janë të detyruar, me rregullore, t’i shqyrtojnë e t’u japin përgjigje, por mbërritja e “kohës zero” e ka kufizuar një gjë të tillë. Specialët gjetën shtegun për t’i prezantuar shqetësimet në Aleancën Kombëtare të Ushtarakëve, por ne, megjithë gatishmërinë tonë, pos ndezjes së sinjalit “Alarm” dhe informimit të “EUROMIL”, nuk mund t’i ndalim akrepat që po afrohen të shënojnë çastin kritik. Por, bëjmë ç’është e mundur që t’i jepet një shuplakë publike atij angazhimi propagandistik të Qeverisë e të Ministrisë shqiptare të Mbrojtjes që tërë përkujdesjen për efektivat që do ta “shohin vdekjen me sy”, e kanë reduktuar në masat që “fillojnë dhe mbarojnë” me përcjelljen e tyre në aerodromin ushtarak të Rinasit.
* * *
Autori është sekretar i Përgjithshëm i Aleancës Kombëtare të Ushtarakëve të Shqipërisë, (kolonel në rezervë)
26 Korrik 2010