“Vakuumi ekzistencial”, rrugët e zgjidhjes
Gëzim TUSHI
Nuk ka dyshim që në shoqërinë shqiptare po shtohet kategoria e njerëzve që iu mungon orientimi i duhur social si kusht për të qenë të dobishëm në jetë. Ndërkaq, shumë të tjerë, për faj të tyre, por dhe për shkak të përgjegjësive të pa-mbajtura të shoqërisë, enden të vetmuar dhe ndihen të braktisur në disa zona të errëta dhe të zbrazura sociale, ngaqë e ndjejnë veten brenda “vakuumeve” dhe “humnerave” të pambushura individuale. Nuk janë në këtë gjendje vetëm ata që kanë probleme me shëndetin mendor, apo që kanë patologji psikiatrike. Nuk është fjala për ata që janë patologjikisht të sëmurë. Këtu është fjala për atë kategori sociale të njerëzve që, për arsye personale, sociale apo edhe personale, jetojnë në “boshllëk ekzistencial”, dhe që për pasojë nuk janë në gjendje të orientohen në rrugën e dobishme të jetës së tyre personale. Praktikisht, rritja e numrit të personave që jetojnë të vetmuar, që ndihen shpirtërisht të zbrazët dhe nga pikëpamja sociale të margjinalizuar, janë ata që përjetojnë sindromën e thellë të “vakuumit ekzistencial”, të cilën e ndjejnë, por nuk janë në gjendje as të identifikojnë shkaqet e vërteta, por as të gjejnë rrugët që duhet për të “mbushur” këtë vakum.
Ne, tani në shoqërinë tonë, duhet të shqetësohemi shumë për faktin se po shtohen njerëzit që për fat të keq dhe për arsye të ndryshme, personale apo sociale kanë humbur “vetëdijen e një synimi për të cilën ia vlen të jetosh”. (Viktor Frankl, “Në kërkim të kuptimit të jetës” faqe 148)
Në familje, në shkollë, në vendin e punës, në jetën publike dhe në komunitet ne përballemi me nuancat e qarta të gjendjes së “vakuumit ekzistencial”, në “kthetrat” e së cilës janë shumë njerëz që jetojnë ndryshe, megjithëse nuk kanë asnjë distancë sociale dhe që fizikisht jetojnë me ne, janë me ne dhe gjenden rrotull nesh, por, që për shkaqe subjektive apo të natyrës objektive të deformuar, përjetojnë zbrazëti të thellë shpirtërore, nga që kanë mungesë besimi tek vetja dhe të tjerët, apo që përjetojnë ndjenjë skepticizmi dhe zbrazëti brenda vetes. Kjo situatë sociale patologjike ka marrë përhapje të gjerë në shoqërinë shqiptare. Me këtë situatë psiko-sociale që përjeton shoqëria dhe njerëzit tanë, të krijohet ideja se, në një masë të konsiderueshme, shkaqet janë të lidhura situatat e zgjeruara të margjinalizimit social, të shkëputjes së njerëzve nga shoqëria, të mbylljes në guackën e ngushtë personale për shkak të mungesës së besimit tek “vetja” dhe tek të “tjerët”. Me këtë ndjenjë komplekse, sipas mendimit tim, janë të lidhura edhe situatat, në dukje, pa rrugëdalje të njerëzve në kohën kur tek ata “vakuumi ekzistencial” bëhet i thellë dhe i parikuperueshëm. Në këto rrethana, ne jemi dëshmitarë përditë të faktit se shumë njerëz që nuk kanë fuqi të përballojnë dallgët e “vakuumit ekzistencial”, në shumë raste, për fatin e keq të tyre dhe të shoqërisë, kanë gjetur rrugën e suicid-it (vetëvrasjes), duke i marrë jetën vetes në mënyrë të padrejtë dhe pa shkaqe të vërteta ekzistenciale.
Natyrisht, nuk ka kohë për iluzione sociale dhe personale, sepse njeriu në kohën moderne as mund të shpresojë që në këtë shoqëri të ketë mundësi që të bëjë “orientimin social” të vetes duke u mbështetur në aftësitë e lindura instiktive themelore. Por, as nuk ka mundësi dhe shpresa të tjera shtesë që të mund të shpresojë se do ta ndihmojnë për të gjetur një lumturi spontane, që mund të vijë vetvetiu apo nga “lart”. Këto lloje, sigurish që mund të kenë qenë me vlerë për kohërat primitive; Sot, në shoqërinë moderne shqiptare nuk kanë asnjë vlerë për orientimin social të njeriut në jetë, nuk kanë forcë për të qenë instrumente që ta ndihmojnë njeriun që të jetë individualisht i suksesshëm dhe që të ketë garanci që t’i largohet disfatës, dështimit, pasigurisë të së nesërmes. Kjo gjë është e pamundur të veprojë në këtë mënyrë.
Në të vërtetë, tani në kohën modern edhe në shoqërinë shqiptare, me sa duket, përfundimisht ai që vendos për të bërë “zgjedhjet dhe zgjidhjet” është vetë njeriu konkret, i cili ka shansin e suksesit dhe të dështimit të personalizuar. Madje, në kohën moderne duket se edhe disa mjete, instrumente dhe vlera të shoqërisë tradicionale që kanë pasur fuqi orientuese sociale për njeriun dhe jetën e përbashkët të shoqërisë, tani nuk funksionojnë më. Në këto rrethana, kur nuk ka më orientim instinktiv, apo shpresë nga lart për “parajsë”, për të mira që do të vijnë vetiu dhe as vlera të traditës për t’u orientuar, duket se njeriu në shoqërinë tonë tani ka vetëm një rrugë: të konformohet dhe të përshtatet me kërkesat dhe imperativat e jetës moderne dhe rregullat e hekurta të ekonomisë së tregut.
Në studimet socio-psikologjike që janë bërë, duket se shtresa e njerëzve që përjeton “vakuum ekzistencial” është zgjeruar më shumë se më parë. Në jetën e përditshme ajo shfaqet së pari si “gjendje mërzie”. Nuk e di por duke e parë zgjerimin e kësaj ndjenje sociale në shoqëri të duket se sa ka pasur të drejtë Artur Shopenhaueri (ky filozof i etiketuar si babai i pesimizmit social) në konkluzionin e vet, sipas të cilit, jeta moderne e ka “dënuar njerëzimin të lëkundet mes dy skajeve: dëshpërimit dhe mërzitisë”. Këtë situatë, në të dy skajet e veta, (dëshpërimit dhe mërzisë) në shoqërinë tonë e përjetojnë njerëzit e papunë, shtëpiakët, studentët që kanë mbaruar studimet dhe presin të punësohen, njerëzit që vijnë vërdallë shoqërisë pa plane, programe pune dhe angazhime të tjera jetësore: Mërziten dhe dëshpërohen njerëzit që kanë “kohë të tepërt”, që nuk dinë sit a shpenzojnë atë, që nuk kanë me çfarë të merren, që janë larg “botës së punës” dhe në distancë irracionale me “botën e jetës” sociale.
Nuk e di se deri ku është shkalla e saktësisë së konkluzionit tim, por nga vëzhgimet që kam bërë duket se numrin më të madh të vetëvrasjeve e bëjnë pikërisht këto kategori njerëzish që janë pjesë e grupeve sociale të të papunëve, të varfërve, të dëshpëruarve, njerëzit e margjinalizuar nga sëmundjet patologjike apo nga patologjia sociale e izolimit dhe margjinalizimit social. Jo vetëm kaq, por “vakuumi ekzistencial” po bëhet forca gjeneruese e gjallërimit të vartësive nga substancat psikotrope dhe ndikojnë fuqimisht në përhapjen e sëmundjeve të pasionit (droga, alkooli dhe prostitucioni). Po shtohen njerëzit që kanë iluzion se mund ta mbushin “vakuumin ekzistencial”, duke u dhënë pas drogës dhe alkoolit dhe iluzionit të lumturisë së përkohshme që sjell vartësia prej tyre. Nuk është rastësi që është rritur numri i të rinjve, veçanërisht në shkollat 9-vjecare dhe gjimnaze që janë bërë përdorues të drogës dhe që jetojnë në vartësinë e lëndëve psikotrope dhe alkoolike. Po kështu, edhe shpërthimi pandemik i seksualizmit, zgjerimi i relacioneve seksuale midis të rinjve, ulja drastike e moshës së fillimit të aktivitetit seksual duket së kanë si “burim të parë” faktin që të rinjtë duan që përmes aktivitetit seksual pa rregull dhe dashuri ta kthejnë në zëvendësues të “gjimnastikës”, pa ndjenjë, por thjesht për konsum, për kalim kohe dhe qëllim në vetvete.
Është një iluzion mjaft i përhapur kohët e fundit në shoqërinë shqiptare, e cila shfaqet tek psikologjia dhe veprimet e shumë njerëzve, që gabimisht mendojnë se “vakuumi ekzistencial” mund të kompensohet me “aktivitet seksual” të dendur dhe të çrregullt. Por, këtë gjendje e gjejmë nganjëherë të pasqyruar në forma të ndryshme edhe në grupe të tjera sociale, siç janë të moshuarit, ata që jetojnë të izoluar dhe kryejnë dënimin penal në burg, etj.
Këtë ndjenjë e kanë edhe njerëzit e dhënë tërësisht pas qëllimeve imediate të karrierës dhe parasë, tek të cilët këto ideale vetëm e varfërojnë jetën e shëndetshme dhe e fusin njeriun në gjendjen e vakuumit ekzistencial. E kanë edhe njerëzit që, për shkaqe të ndryshme, përjetojnë situata neurotike. Një gjë është e sigurt: Shoqëria shqiptare moderne është tejet individualiste dhe, me sa duket, pak bën për të mbushur “vakuumin ekzistencial” që shfaqet si simptomë sociale në njerëz, grupe dhe shtresa sociale të ndryshme.
Unë bëj pjesë tek ata sociologë, që nuk kam besim të tepruar për mundësitë e shoqërisë moderne për të vënë në punë instrumente sociale që mund të mbushin “vakuumet ekzistenciale” të njerëzve të ndryshëm. Por, kam besim absolut se kjo është një detyrë që mund ta bëjnë fare mirë organizatat, organizimet dhe agjencitë e tilla sociale si; familja, shkolla, institucionet fetare, të cilat kanë kapacitete, mundësi dhe aftësi që të mund të ndikojnë në zbutjen e shkaqeve të vakuumeve sociale të njerëzve. Sepse, duke mbushur “vakuumet ekzistenciale” të njerëzve në familje, në shkollë dhe institucionet fetare, ne i ndihmojmë njerëzit që të gjejnë kuptimin e vërtetë të jetës dhe të largohen nga iluzionet e jetës së izoluar dhe “vakuumeve” shpirtërore dhe ekzistenciale. Në këto institucione mund të mos bëhet një “edukim” psikologjik dhe filozofik që të ndihmojë njerëzit të kuptojnë esencën e kuptimit të jetës në përgjithësi, por aty janë të gjitha kushtet sociale dhe instrumentet edukative që njeriu, fëmija, i rrituri, nxënësi dhe besimtari të kenë një kuptim të drejtë për jetën e tyre, për objektivat jetësore në çdo moment të dhënë (qoftë si fëmijë, i rritur, i moshuar, i papunë, i margjinalizuar, etj). Në kohën tonë njerëzit nuk kanë aq shumë nevojë për leksione filozofike dhe psikologjike për të kuptuar kuintesencën abstrakte të jetës moderne. Ata kanë nevojë që të ndihmohen për të konceptuar rëndësinë e misionit konkret që kanë në jetë kur janë fëmijë, dhe nxënës, apo kur bëhen prindër, qytetarë, etj, dhe që është imperativë që duhet të përmbushet konkretisht nga secili prej tyre. Sepse në kohën moderne, detyra e çdo njeriu është e veçantë dhe përmbushja e saj është e posaçme për çdo njeri. Çdo njeri është, në radhë të parë, vet përgjegjës për jetën e vet…
26 Korrik 2010