E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alibeaj, seminar me administratën e Burgut të Fushë-Krujës



TIRANË – “Riintegrimi i të dënuarve në shoqëri përbën filozofinë bazë mbi të cilën mbështeten politikat e qeverisë për sistemin penitenciar në vendin tonë”, - tha dje ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, gjatë seminarit “Të Drejtat e Personave të Burgosur”, organizuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit me personelin e sapozgjedhur të burgut të ri të Fushë-Krujës. Në këtë seminar ndodhej edhe kreu i Delegacionit të Komisionit Europian, (KE) në Tiranë, ambasadori Helmut Lohan. Në fjalën e tij, ministri Alibeaj pasi falënderoi Bashkimin Europian për mbështetjen dhe ndihmën që po jep për përmirësimin e sistemit penitenciar në Shqipëri, bëri një ekspoze të punës së bërë në këto tre vjet në këtë sektor. “Kemi shprehur vullnet të pastër politik për përmirësimin e trajtimit të të dënuarve dhe të paraburgosurve, kemi marrë nisma konkrete ligjore si dhe po përcjellim konceptet e reja në këtë sistem duke e konsideruar burgun si një qendër riintegrimi”, - u shpreh Alibeaj. Ai theksoi gjithashtu: “Burgu është një mini shoqëri, ku të dënuarit duhet të dalin prej andej të gatshëm për t’u integruar në shoqëri”. Ai i mëshoi për këtë qëllim rëndësisë së trajnimit të stafit policor dhe civil në burgje, ndërsa tha se investime të rëndësishme për infrastrukturën e burgjeve ka ofruar edhe Bashkimi Europian. Trajnimi i djeshëm për administratën e sapozgjedhur të Burgut të Fushë Krujës është pjesë e ndihmës së dhënë në kuadër të projektit “Drejtimi Human i Burgjeve”, i cili mundëson trajnime mbi të drejtat e të burgosurve dhe financohet nga BE-ja me fondin prej 400000 euro. Burgu i Fushë-Krujës është ndërtuar nëpërmjet një projekti prej 3.8 milionë euro financim i Bashkimit Europian.
Burgu është vënë në funksionim këtë vit dhe ofron akomodim për 312 të burgosur, nga të cilët 176 të sigurisë së ulët dhe 136 të sigurisë së lartë. Ky burg ofron kushte mjaft të mira për personat e privuar nga liria.

13 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›