E Diel, 1 Nëntor 2026

Masakrohet në detyrë fadromisti i Bashkisë, prishte ndërtesën pa leje



Emanuela Sako

Tiranë - Goditet me mjete të forta në kokë fadromisti Bardhyl Gjata, punonjës i Inspektoratit të Ndërtimit pranë Bashkisë së Tiranës. Shtetasi Gjata ishte duke kryer prishjen e një shtese pa leje ndërtimi, pranë tregut elektrik, në rrugën “Sali Nivica”, teksa është qëlluar me mjete të forta në kokë nga pronari i ndërtesës. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, Gjata është transportuar në Spitalin Ushtarak. Mjekët bëjnë të ditur se gjendja e tij shëndetësore është
jashtë rrezikut për jetën. Punonjësit e Inspektoratit të Ndërtimit ndihen të kërcënuar nga reagimet e ashpra të qytetarëve gjatë ushtrimit të punës. Duke u nisur nga ky rast dhe mjaft raste të tjera, ku punonjësit e këtij Inspektorati janë “ndëshkuar” nga qytetarët, del i nevojshëm bashkëpunimi i fortë mes policisë dhe këtij institucioni. Kryebashkiaku Edi Rama e vizitoi të dëmtuarin në Spitalin Ushtarak, ku kërkoi masa ndëshkuese ndaj përgjegjësit të kësaj ngjarjeje të rëndë.
Raporti
Policia zbardh rrethanat e ngjarjes, identifikon autorin dhe e shpall atë person në kërkim. Sipas komunikatës për shtyp, ditën e djeshme, nga specialistët e Seksionit kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit, u gjet i dëmtuar në pjesë të ndryshme të trupit shtetasi Bardhyl Gjata, 50 vjeç, lindur në Korçë dhe banues në Tiranë, me detyrë punonjës i Policisë Bashkiake (fadromist). Sipas burimeve, mendohet se autori i kësaj ngjarjeje është 27-vjeçari Dritan Mija, nga Tirana, i cili e ka goditur me mjete të forta 50-vjeçarin pasi ky i fundit ka qenë duke i prishur me fadromë objektin pa leje, në rrugën “Sali Nivica”, në pronësi të 27-vjeçarit. 50-vjeçari Gjata u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që po punohet për kapjen e autorit të kësaj ngjarjeje.
Vizita
Ngjarje të tilla kanë ndodhur rëndom gjatë aksioneve të Inspektoratit Ndërtimor për prishjen e ndërtesave pa leje në të gjithë Tiranën. Tashmë del i nevojshëm bashkëpunimi mes Bashkisë së Tiranës dhe Policisë së Shtetit për shmangien e këtyre situatave. Çdo aksion për prishjen e ndërtimeve duhet të shoqërohet me forca të policisë për shmangien e rasteve agresive ndaj punonjësve të Bashkisë, që zbatojnë urdhrat e marra nga ky institucion.

Ekstradohet nga Italia një 65-vjeçar i dënuar për vrasjen e dy personave

Tiranë - Një 65-vjeçar nga Bushati i Shkodrës, i dënuar me 25 vjet heqje lirie për “vrasje”, u ekstradua paraditen e djeshme nga Italia drejt Shqipërisë për të kryer dënimin e dhënë nga drejtësia shqiptare. Burime zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të policisë së shtetit bënë të ditur për gazetën “Albania” se “65-vjeçari Selman Lika, me vendim të Gjykatës së Rrethit të Shkodrës, datë 17 maj 2000, është dënuar me 25 vjet heqje lirie për veprën penale ‘vrasje me dashje’, (2 herë) dhe ‘armëmbajtje pa leje’”. Ngjarja për të cilën akuzohet 65-vjeçari Lika ka ndodhur më 28 shkurt të vitit 1998, në lagjen “Likaj” të fshatit Bushat, në rrethin e Shkodrës, ku gjatë një grindjeje për shkak të një konflikti pronësie ai ka vrarë me armë zjarri shtetasit Tofik dhe Abdulla Lika, si dhe ka plagosur shtetasit Dritan e Bledar Lika.

Tentoi të vrasë me makinë dy veta, arrestohet 31-vjeçari

Tiranë - Policia ka arrestuar autorin e tentativës së vrasjes me kamion të dy personave disa ditë më parë në kryeqytet. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë për gazetën se specialistët e Seksionit kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit kanë mundësuar ekzekutimin e urdhrit të Prokurorisë së Tiranës për ndalimin e Artur Prengës, 31 vjeç, lindur në Rubik dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale të “vrasjes”. Dyshohet se ky person më 28 Nëntor 2008, në rrugën “Shemsie Haka”, ka tentuar të vrasë me anë të përplasjes me kamionin e tij Lulzim Zeqajn dhe Shpëtim Myrton, të cilët po udhëtonin me automjetin tip “Mitsubish Pajero Sport”. Pas kryerjes së aksidentit, i dyshuari është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes duke u përplasur më pas me autobusin e linjës uzina autotraktorëve-qendër. Pas kësaj, janë kryer veprimet procedurale, materialet i kanë kaluar Prokurorisë për veprat penale të “vrasjes me dashje e mbetur në tentativë” dhe “shkatërrim prone”.

13 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›