E Shtunë, 31 Tetor 2026

VENDIM PER PËRCAKTIMIN E NUMRIT REFERUES TË TË PUNËSUARVE, PËR EFEKT TË PAGIMIT TË KONTRIBUTEVE TË SIGURIMEVE, SHOQËRORE DHE SHËNDETËSORE, NË DISA VEPRIMTARI KRYESORE, PËR TATIMPAGUESIT E REGJISTRUAR NË BIZNESIN E VOGËL

V E N D I M

PËR

PËRCAKTIMIN E NUMRIT REFERUES TË TË PUNËSUARVE, PËR EFEKT TË PAGIMIT TË KONTRIBUTEVE TË SIGURIMEVE, SHOQËRORE DHE SHËNDETËSORE, NË DISA VEPRIMTARI KRYESORE, PËR TATIMPAGUESIT E REGJISTRUAR NË  BIZNESIN E VOGËL


Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kur administrata tatimore vëren se numri i të punësuarve, të deklaruar nga tatimpaguesit e regjistruar në biznesin e vogël, për efekt të pagimit të kontributit të sigurimeve, shoqërore e shëndetësore, nuk është real dhe nuk i përgjigjet vlerës së tregut për shërbimet e punësimit, ajo ka autoritetin të bëjë rivlerësim, sipas llojit të veprimtarive dhe vëllimit të të ardhurave vjetore. Numri minimal referues i të punësuarve, përfshirë edhe të vetëpunësuarit, jepet në aneksin 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Subjektet e regjistruara në biznesin e vogël janë të detyruara të deklarojnë, në organet tatimore, të gjithë personat, që punojnë në biznesin e tyre, përfshirë veten dhe anëtarët e papaguar të familjes, me të cilët punon e bashkëjeton ligjërisht, si dhe të llogarisin e paguajnë kontributet, sipas përcaktimeve të akteve, ligjore e nënligjore, në fuqi.

3. Punonjësit e autorizuar të administratës tatimore, gjatë kryerjes së verifikimeve apo kontrolleve, shqyrtojnë numrin e punonjësve të deklaruar nga subjekti, si dhe kryejnë rivlerësimet e nevojshme, në bazë të llojit të veprimtarisë, vëllimit të punës, vendeve të punës e  regjimit të punës, etj. në raport me numrin referues të punonjësve, sipas përcaktimeve të këtij vendimi.

4. Në rast kundërshtimi ndaj vlerësimeve të administratës tatimore, subjekti duhet të provojë se vlerësimi është i gabuar, të argumentojë e vërtetojë saktësinë e deklarimeve të bëra nga ana e tij, si dhe të ndjekë procedurat e ankimimit. Në këto raste, ministri i Financave autorizohet të përcaktojë procedurën administrative të shqyrtimit të ankesave, dhe mënyrën e dhënies së përgjigjes. Në rast të kundërshtimeve subjekti ka të drejtë të ndjekë procedurën e ankimimit, sipas përcaktimeve të ligjit nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”.

5. Subjektet, që kryejnë më shumë se një veprimtari ekonomike, për efekte të zbatimit të këtij vendimi, klasifikohen sipas veprimtarisë kryesore. Veprimtaria kryesore ekonomike përcaktohet në bazë të përqindjes më të madhe të xhiros, të deklaruar nga subjekti dhe të saktësuar nga organet tatimore, bazuar në kriteret e përcaktuara në “Nomenklatura e veprimtarive ekonomike”, botim i Institutit të Statistikës. Në përcaktimin e numrit të punonjësve mbahen parasysh edhe lloji i veprimtarive, që zhvillohen.

6. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.


K R Y E M I N I S T R I

SALI  BERISHA

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›