Rreth 16.3 mld lekë për të ardhurat nga Tatimi mbi të Ardhurat Personale
Autori i Lajmit: Red.Të ardhurat nga Tatimi mbi të Ardhurat Personale për vitin 2008 janë parashikuar të arrijnë në rreth 16.3 miliardë lekë nga 13 miliardë lekë të parashikuar për vitin 2007 (Buxheti Suplementar), me një rritje prej rreth 25 për qind, duke arritur kështu në 1.51 për qind të PBB-së nga 0.95 përqind e PBB-së që arritën këto të ardhura në vitin 2006. Rritja e të ardhurave nga Tatimi mbi të Ardhurat Personale gjatë vitit 2008 është rezultante e vendosjes së Taksës së Sheshtë, që i ka filluar efektet e saj që në gjysmën e dytë të 2007-tës, uljes së evazionit fiskal. Përsa i përket taksave nacionale, të ardhurat nga taksa nacionale dhe të tjera për vitin 2008 janë parashikuar në rreth 17.2 miliardë lekë nga 16.4 miliardë lekë të planifikuara për vitin 2007. Paketa fiskale e vitit 2007 solli ndryshime në disa prej taksave nacionale në Republikën e Shqipërisë, që pritet të kenë efekte pozitive dhe negative. Janë reduktuar taksat portuale, me një impakt negativ vjetor të parashikuar në nivelin 250 milionë lekë është ulur taksa për ditë qëndrimi të automjeteve të huaja, me një impakt negativ të parashikuar në 500 milionë lekë; është rritur taksa e importimit të automjeteve të përdorura (ose taksa e mjedisit), me një impakt pozitiv të pritshëm prej 1,600 milionë lekë. Këto ndryshime në sistemin e taksave kanë përbërë një hap cilësor i cili jo vetëm që do të ndikojë në zhvillimin e trasportit detar dhe të porteve dhe turizmit, por edhe në zhvillimin ekonomik të vendi.
Ky lajm është publikuar: 16/10/2007