Autoambulanca thyen postbllokun, rrezikon jetën e qindra njerëzve
SHKODËR – Rrezikonte të kthehej në tragjedi ceremonia e festimeve, e organizuar nga arqipeshkvia e Shkodrës mbrëmjen e së dielës, me rastin e festës së Zojës së Shkodrës. Një autoambulancë e qendrës shëndetësore Velipojë, ka hyrë në mes turmës së mbledhur në sheshin “Papa Gjon Pali i Dytë”, para Katedrales së Shën Shtjefnit, duke çarë postbllokun e policisë dhe duke rrezikuar jetën e njerëzve që ndodheshin aty. Fatmirësisht, gjithçka kaloi vetëm me frikë dhe pa pasoja për të pranishmit.
Ngjarja
Me rastin e festës së Zojës së Shkodrës, të dielën në mbrëmje, ishte organizuar një ceremoni festimesh. Policia kishte vendosur të bllokonte rrugën që nga kryqëzimi i ish-degës së brendshme për arsye të festimeve para Kishës së Madhe. Autoambulanca, në të cilën ndodhej vetëm drejtuesi i saj, theu postbllokun dhe me sinjale të ndezura hyri mes turmës që ndiqte koncertin, duke shkaktuar tronditje dhe panik, dhe duke rrezikuar jetën e njerëzve. Ishte ndërhyrja e policisë bashkiake që ndodhej pranë turmës që ndiqte koncertin dhe të rinjve të Kishës Katolike të Shkodrës, të cilët arritën të evitonin një tragjedi, ndërsa autoambulanca devijoi në rrugën e Gjuhadolit dhe vazhdoi më tej.
Verifikimet
Pas kësaj ngjarjeje, mësohet se policia nuk ka kryer asnjë veprim për të verifikuar arsyet që e çuan ambulancën të thyente postbllokun dhe të vinte në rrezik jetët e njerëzve që ndodheshin në shesh. Ndërkaq, sipas burimeve spitalore, të cilat kundërshtojnë ato të shoferit të autoambulancës (që mësohet të jetë shprehur se kishte një pacient), në mjet nuk ka pasur asnjë të sëmurë. Një fakt i tillë u vërtetua edhe nga urgjenca e spitalit rajonal të Shkodrës, të cilët nuk kanë shënuar asnjë pacient apo të shtruar nga Velipoja, në kohën kur ndodhi incidenti.
Dyshimet
Incidenti i ndodhur të dielën në mbrëmje hodhi shumë dyshime jo vetëm tek besimtarët e pranishëm në ceremoninë e festimeve, por dhe tek përfaqësuesit e Kishës Katolike Shkodër, të cilët janë munduar të zbulojnë rrethanat e kësaj ngjarjeje të papëlqyeshme. Ata vetë kanë kryer verifikime për të kuptuar se cilat ishin arsyet e ngjarjes së ndodhur. Ndërkaq dyshohet se thyerja e postbllokut nga ambulanca ka qenë e qëllimshme, megjithatë, pavarësisht heshtjes së ankthshme, askush nuk pranon të flasë.
HESHTJA
Menjëherë pas ngjarjes së ndodhur, përfaqësues të Kishës Katolike të Shkodrës nisën verifikimet e tyre për të kuptuar arsyet se pse u vu në rrezik jeta e shumë njerëzve. Pavarësisht se nuk duan të flasin publikisht, privatisht shumë shprehen se dyshojnë që incidenti ka lidhje me konfliktin me famullitarin e Velipojës. Sipas tyre, kjo mund të jetë një “hakmarrje” për gjyqin ndaj tij.