E Diel, 1 Nëntor 2026

“Publikimi i dokumenteve sekrete, akt kriminal - PS-së i ka mbetur ora tek Enver Hoxha”

02-10-2012 / Gazeta 55

Reagon Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë së Mbrojtjes, Edvin Kulluri

“Publikimi i dokumenteve të klasifikuara nga ana e PS, vepër kriminale, do t’i drejtohemi organeve të drejtësisë. Padyshim që në këtë vend do të ruhet standardi i informacionit të klasifikuar në respekt të ligjeve në fuqi”

Pas akuzave të përditshme të Erjon Braçes se tregtia e armëve është e paligjshme me Malin e Zi, sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Edvin Kulluri ka reaguar përmes një deklaratë për mediat, në të cilën deklaroi se “ministria e Mbrojtjes, çdo veprim, çdo shitje armatimi e municioni, e ka bërë në përputhje të plotë me ligjin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar”. 
Sipas tij gjithçka është e ligjshme, transparente dhe e monitoruar prej strukturave kompetente vendase, NATO dhe OKB. “Në këtë proces janë të përfshira institucione të ndryshme vendase dhe të huaja që menaxhojnë dhe kontrollojnë në mënyre të vazhdueshme dhe rast pas rasti të gjithë veprimtarinë në fushën e eksportit të armatimit dhe pajisjeve ushtarake. Vitet e fundit, numri i kompanive pjesëmarrëse në këtë aktivitet është rritur. Ashtu siç është rritur edhe numri i vendeve që kanë blerë mallra ushtarakë nga Shqipëria”, theksoi Kulluri.
Ndërsa për akuzat e Partisë Socialiste Ministria e Mbrojtjes ka nënvizuar se, “Akuzat për Malin e Zi, një shtet mik e partner, tregojnë se Partia Socialiste është akoma me orën e Enver Hoxhës. Qeveria Shqiptare dhe Ministria e Mbrojtjes kanë shprehur të gjithë mbështetjen për integrimin e shtetit mik të Malit të Zi në NATO. Qeveria shqiptare dhe Ministria e Mbrojtjes i qëndrojnë bindjes së palëkundur se rritja e mirëbesimit ndërmjet vendeve të rajonit, është rruga e vetme e stabilitetit dhe sigurisë”.    
Në lidhje me publikimin e nxjerrjen e dokumenteve të klasifikuar, vijoi Kulluri, ato përbëjnë vepër kriminale. Dhe për këtë arsye, “do t’i drejtohemi organeve të drejtësisë. Padyshim që në këtë vend do të ruhet standardi i informacionit të klasifikuar në respekt të ligjeve në fuqi”.
Sakaq e ka quajtur PS pengmarrëse të integrimit, sekretar i MM, informoi se ky institucion mbetet i përkushtuar në realizimin e reformave. “Shpifjet dhe trillimet për veprimtarinë tregtare të Ministrisë së Mbrojtjes nga pengmarrësit e integrimit dhe të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, kanë si qëllim nxirjen e Forcave të Armatosura dhe imazhit të tyre, të cilat kanë kaluar me sukses reformat më të thella në këto dekada. Ministria e Mbrojtjes do të vijojë të mbetet e përkushtuar në misionin dhe detyrat e saja kushtetuese, në garantimin e sigurisë kombëtare dhe interesave madhore të Republikës së Shqipërisë. Veprimtaria  e ligjshme e Ministrisë së Mbrojtjes duket se  ka shkelur interesat e trafikantëve të armëve dhe atyre që nxjerrin e dekonspirojnë dokumente sekrete. Kjo është e pafalshme dhe në kundërshtim të hapur me interesin publik. Shitja dhe tregtimi i pajisjeve ushtarake siç e kemi theksuar me dhjetëra herë, është dhe do mbetet një mekanizëm i arsyeshëm dhe ligjor për çlirimin e Forcave Të Armatosura, nga barra e tepërt  që ka akumuluar nga paranoja e regjimit të shkuar. Prioriteti ynë vijon të jetë modernizimi dhe rritja e kapaciteteve operacionale të ushtrisë shqiptare.  Ndaj, prej faktorëve politikë është pritur që të mbështeten reformat e ndërmarra dhe jo krijimi i një klime dekurajuese ndaj institucioneve të sigurisë kombëtare”, përfundoi ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›