Thellohet logjika e Haxhi Qamilit: “Na jepni Fierin, t’ju japim 3/5 e votave”
Ligji i nëpunësit Civil, opozita braktis sërish mbledhjen në komision
Opozita ka braktisur sërish komisionin e ligjeve, ku po diskutohej projektligji për nëpunësin civil, ligj i cili kërkon shumicë të cilësuar në parlament. Deputetët e opozitës janë larguar nga komisioni me arsyetimin se ata do të marrin pjesë në shqyrtimin e ligjit, vetëm pasi të jetë zgjidhur çështja e qarkut të Fierit. “Jemi gati të shqyrtojmë ligjet me 3/5, por më parë duhet të zgjidhet çështja e Fierit. Opozita nuk merr pjesë në shqyrtimin e ligjit për nëpunësin civil”, tha Xhafaj. Duke i kujtuar opozitës se po e kthen këtë proces në bllokim, kryetari i Komisionit Ilir Rusmali theksoi se Komisioni do të zbatojë ligjet dhe rregulloren e Kuvendit për shqyrtimin e ligjeve. Rusmali ka deklaruar se komisioni nuk mund ta heqë shqyrtimin e projektligjit nga rendi i ditës pasi është në kundërshtim me rregulloren. “Deklaratat e opozitës po i marrim si kërkesë për heqjen e ligjit nga rendi i ditës së Komisionit të Ligjeve. Për diskutimin e ligjit, ne na urdhërojnë ligjet dhe rregullorja e Kuvendit por kush e urdhëron opozitën për të bllokuar dhe kërcënuar? Në Komisione punohet për të bërë ligje”, theksoi Rusmali. Ndërsa anëtari demokrat i Komisionit të Ligjeve Gent Strazimiri ka propozuar që procesverbalet e mbledhjeve të firmosen, dhe në nëse deputetët e opozitës nuk firmosën t’u hiqet shpërblimi financiar që përfitojnë si anëtarë komisioni pasi nuk bëjnë detyrën e tyre. Ndërkaq Komisioni i Ligjeve ka shtyrë diskutimin për anëtarët e KQZ-së. Pas largimit të opozitës, mazhoranca në Komision ka vijuar diskutimin nen për nen të ligjit të nëpunësit civil, ndërsa u kanë kërkuar përfaqësuesve të qeverisë që të rishohin disa nene të këtij ligji. Kësisoj komisioni i Ligjeve e nisi javën me shqyrtimin e ligjit të radhës, miratimi i të cilit pa votat e opozitës do të jetë sërish i pamundur. Por kur kanë mbetur pak ditë nga publikimi raportit vjetor të progresit, prej ku pritet dhe vendimi për statusin kandidatit të Shqipërisë në BE, në Parlament vijon të jetë i bllokuar edhe ndryshimi i ligjit për Gjykatën e Lartë. Votat e opozitës pro tij do të përktheheshin si një zhbllokim i dyfishtë për këtë ligj, por edhe për zbatimin e ligjit për Gjykatën Administrative që u miratua në pranverë. Nga e enjtja, kur u zhvillua debati parlamentar, ndërsa në rend ditë ishte votimi I ligjit për gjykatën e lartë, Partia Socialiste nuk ka deklaruar asnjë tërheqje nga kushti se nuk do të votojë asnjë ligj me shumicë të cilësuar pa u zbatuar vendimet gjyqësore për qarkun e Fierit. Për shkak të këtij qëndrimi në séancë debatet e gjata nuk u kurorëzuan me një votim. Mazhoranca do ta konsideronte këtë si pretekstin e radhës për bllokim apo pazar, pasi, sikundër ajo u shpreh, nuk ka asnjë titull ekzekutimi për asnjë nga vendimet gjyqësore për këtë qark, ndërkohë që deputetët e Kuvendit të Shqipërisë nuk asnjë tagër të marrin kompetenca të gjykatësve apo të shërbimit përmbarimor.
...