Strategjia e Mbrojtjes, Arvizu i dorëzon Berishës dokumentin
TIRANË Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një takim me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Ky i fundit gjatë takimit e njohu Berishën me strategjinë e re të Mbrojtjes së SHBA, të prezantuar pak ditë më parë nga presidenti Obama. Ambasadori Arvizu u ndal në drejtimet kryesore të strategjisë, në të cilat theksohet një angazhim më i madh i SHBA-së në Azi, vazhdimi i angazhimit nëpërmjet partneritetit në Lindjen e Mesme dhe ritheksim i rëndësisë themelore që Europa dhe NATO kanë në strategjinë globale të SHBA-së. Nga ana e tij, kryeministri Berisha çmoi si me rëndësi për paqen dhe stabilitetin në botë, fokusimin më të madh të kësaj strategjie drejt Azisë. Kryeministri nënvizoi gjithashtu rëndësinë e vazhdimit të mbajtjes në të ardhmen të pranisë së SHBA dhe të NATO-s në rajon, si një kusht i rëndësishëm për garantimin e paqes, stabilitetit dhe zhvillimit demokratik. Berisha ritheksoi angazhimin maksimal të qeverisë shqiptare për të përmbushur detyrimet e saj në kuadrin e NATO-s, si dhe përkrah aleatit të saj strategjik, SHBA, kudo që kjo të jetë e nevojshme.