E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sequi: Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për statusin. Meta: Do çojmë përpara reformat

TIRANE – Ambasadori i BE-së në vendin tonë, Ettore Sequi zhvilloi sot një takim me liderin e LSI-së, Ilir Meta. Në një konferencë për mediat, në përfundim të takimit, ambasadori Sequi theksoi rëndësinë e gjithëpërfshirjes në përmbushjen e reformave të nevojshme, që do ta bëjnë Shqipërinë të ecë përpara në rrugën drejt BE-së. Sipas ambasadorit Sequi, Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për të marrë statusin kandidat për në BE.

“Të ecet përpara në mënyrë të suksesshme në rrugën drejt BE-së. Pas zgjedhjeve ne kemi besim se do të ketë një tranzicion të mirë drejt pushtetit, që të përqëndrohet puna të axhenda e reformave të nevojshme për Shqipërinë. Mbeta i kënaqur nga përdorimi i një fjalë, gjithëpërfshirje që është kyçe, sepse procesi i integrimit është proces që përfshin të gjithë vendin. Të gjitha mundësitë janë për vendin që të merret statusi i vendit kandidat, ne kemi besim që kjo do të jetë e mundur edhe në sajë të këtij angazhimi të ri”- deklaroi ambasadori.

Nga ana e tij, Meta theksoi angazhimin për plotësimin e reformave për marrjen e statusit dhe integrimin e vendit në BE, duke nënvizuar se në këtë proces do të ketë gjithëpërfshirje.

Duke kujtuar se pak javë më parë u arrit konsensusi në parlament gjatë fushatës elektorale për miratimin e tre ligjeve edhe pse me vonesë, Meta tha se, "tani besoj se është e gjithë mundësia për të krijuar një klimë më themele të qëndrueshme dhe afatgjata të bashkëpunimit dhe të gjithëpërfshirjes midis mazhorancës së re dhe opozitës së re dhe është mundësia për të përfshirë në këtë proces reformash edhe shumë faktorë të tjerë të shoqërisë sonë si shoqërinë civile, grupet e interes, qarqet akademike dhe universitare në mënyrë që këto reforma të fitojnë një temp të ri, por edhe të gëzojnë një konsensus sa më të gjërë shoqëror dhe politik".

Meta theksoi se pavarësisht nga kjo mazhorancë prej 84 deputetësh,  për çështje të rëndësishme nuk do të mjaftonte thjesht një votim i bazuar mbi numra, por mbi një konsensus sa më të gjërë me përfshirjen e opozitës.

"Ky ka qenë, është dhe do të jetë vullneti ynë edhe në të ardhmen dhe ne besojmë se në këtë mënyrë demonstrojmë një filozofi të re të mazhorancës së re dhe presim një përgjigje të re nga opozita e re për filozofinë e saj për të ardhmen”, përfundoi kreu i LSI-së.

Lideri i LSI-së bëri të ditur se në qendër të bisedës me ambasadorin Sequi ishin vlerësimet për zgjedhjet e 23 qershorit.
“Shpreha falënderimet më të përzemërta për angazhimin e tij dhe angazhimin e BE, Komisionit Evropian dhe parlamentit evropian që ishte mjaft aktiv për monitorimin këtyre zgjedhjeve, sepse dihet që këto zgjedhje ishin një moment kyç për të ardhmen e statutit kandidat.”- deklaroi Meta. 

Pyetje nga gazetarët
Z. Ambasador, për herë të dytë brenda dy ditëve ju përmendi fjalën “gjithëpërfshirje”, aq më tepër kur flisni me Kryetarin e ardhshëm të Kuvendit kjo fjalë merr një rëndësi të veçantë. A i keni i dhënë një këshillë konkrete z. Meta, sikundër mazhoranca e ardhshme do të ketë 84 vota në kuvend, që do të thotë se do të ketë mundësi të marrë vendime për ligje që kanë nevojë për shumicë të cilësuar pa pasur fare nevojën e opozitës?

Sequi: Unë besoj që përvoja dhe vizioni i z. Meta nuk kanë nevojë për këshilla. Edhe në fakt fjalën “gjithëpërfshirje” ne të dy e kemi përmendur edhe në të kaluarën. Kështu që nuk shoh asnjë arsye përse fjalë gjithëpërfshirje të mos jetë një fjalë po aq kyçe edhe në të ardhmen.

Meta: Unë njëkohësisht do të theksoja se pavarësisht nga kjo mazhorancë për 84 votash, absolutisht për çështje të rëndësishme dhe kruçiale nuk do të mjaftonte thjesht një votim i bazuar mbi numrat, por mbi një konsensus sa më të gjerë me përfshirjen e opozitës. Ky ka qenë është dhe do të jetë vullneti ynë në të ardhmen dhe ne besojmë se në këtë mënyrë demonstrojmë një filozofi të re të mazhorancës së re dhe presim një përgjigje të re nga opozita e re për filozofinë e saj për të ardhmen.

Z. Ambasador, edhe një ditë më parë në takimin me z. Rama ju keni thënë se prisni një tranzicion të qetë drejt pushtetit. Çfarë nënkuptoni ju kur thoni tranzicion i qetë?

Sequi: E kam fjalën se duhet të jetë një periudhë kur të kalojë pushteti nga njëra palë te tjera gjatë të cilës mazhoranca e re dhe opozita e re të shikojnë pozicionet e tyre dhe të gjejnë një mënyrë sa më efektive për të punuar bashkërisht në të ardhmen. Sepse kjo është shumë e rëndësishme për një proces sa më të suksesshëm të integrimit evropian të vendit. Në fakt, kjo është një gjë që të cilën e theksoi edhe z. Meta, por ne shikojmë që kemi pasur edhe urime nga udhëheqësit politikë të vendit për njëri-tjetrin. Kështu që besoj se kjo tregon një mentalitet të ri politik sa i përket situatës në Shqipëri. Një mentalitet i ri politik i cili vërtetë duhet të ndihmojë këtë tranzicion të qetë.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›