Vdes në spital, tentoi vetëvrasjen pasi plagosi gruan
Një 49-vjeçar me banim në kryeqytet ka ndërruar jetë pasditen e djeshme në Spitalin Ushtarak, ku ndodhej për mjekim. Ai tentoi vetëvrasje pasi plagosi bashkëshorten e vet. Hetem Fidani, ka vdekur si pasojë e plagëve të rënda që ka marrë në pjesën e qafës, pasi, duke u gdhirë mëngjesi i djeshëm, ai ka tentuar të vrasë me thikë bashkëshorten e tij. Policia tha zyrtarisht se ngjarja ka ndodhur rreth orës 03.30 duke u gdhirë dita e djeshme, pasi në ambientet e banesës së tij Hetem Fidani ka tentuar të vrasë me mjete prerëse thikë, për motive të dobëta, bashkëshorten e tij 46-vjeçare. Autori i dyshuar, pasi ka goditur bashkëshorten e tij, është vetëplagosur, duke qëlluar edhe veten me armë të ftohtë, thikë. Sipas policisë, i pranishëm në ngjarje ka qenë edhe djali 21-vjeçar i çiftit Fidani, i cili, pasi ka parë këtë ngjarje, ka goditur me mjete të forta në kokë autorin, babain e tij, duke e lënë pa ndenja. Mësohet se menjëherë ndaj 49-vjeçarit policia mori masën e arrestit në flagrancë, ndërsa e dërgoi atë për mjekim në Spitalin Ushtarak. Trajtimi i specializuar mjekësor nuk ka mundur ta mbajë në jetë Hetem Fidanin, i cili kishte marrë plagë të rënda në pjesën e qafës, duke tentuar vetëvrasjen pas plagosjes së bashkëshortes së tij.