E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sequi-politikes Gjeni konsensus per reformen ne drejtesi

Gjeni konsensus për reformën në drejtësi! Ky është apeli i ambasadorit të BE-së, Ettore Sequi për klasën politikë shqiptare. Sequi i pranishëm në tryezën për përmirësimin e ligjit të avokatisë u shpreh se palët mund të arrijnë konsensus të gjerë në reforma, të cilat i shërbejnë integrimit të vendit në BE.
Është esenciale për të patur konsultime kur hartohen ligje të reja. Po aq është edhe konsensusi dhe angazhimi i sinqertë i klasës politike në reformën gjyqësore. Krijimi i një gjyqësori të përgjegjshëm dhe të pavarur ka rëndësi vendimtare për integrimin e Shqipërisë në BE dhe mendoj që mund të arrihet një konsensus i gjerë për reformën në drejtësi, këtë duhet të diskutojë spektri politik shqiptar. 
Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi u shpreh së ndryshimet në ligjin e avokatisë ndihmojnë në përmirësimin e funksionimit të sistemit të drejtësisë. Halimi tha se duhet të marrë fund zvarritja e proceseve gjyqësore për shkak të avokatëve. 
Përgjegjësinë dhe abuzimin e avokatëve në zvarritjet e proceseve e ka pranuar edhe kreu i dhomës kombëtare të avokatisë, Maks Haxhia.
Drafti për ndryshimet në ligjin e avokatisë parashikojnë krijimin e strukturave për masat disiplinore, vendosjen e gjobave ndaj avokatëve nga ana e gjyqtarëve të procesit si dhe ndryshimi i procedurave për marrjen e licencës së avokatisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›