E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbët, Ballkani i mirë dhe i keq

Komedia ”Dundo Maroje”, që u shfaq një natë më parë në Butrint, ishte pa tekst impenjativ për Teatrin Kombëtar të Nishit. Shfaqja tregoi se si mund të përshtatet një autor klasik serb. Ndërsa mjeshtëria, zeja e aktrimit nuk tradhtonte traditën 120-vjeçare të këtij teatri që njeh në përvojën e tij teatrin e repertorit. Nxënësit e Mensurit e vunë këtë projekt ashtu siç e ka lënë në të gjallë dramaturgu. Specifikë lëvizjeje, shpejtësi, dinamikë, të gjitha një ansambël unik në një lojë të fortë aktrimi. Për një orë e gjysmë shfaqja mbaroi. Dhe gjithë ç’mbeti, ishte marramendja që të jep komedia dell’arte, që serbët kishin zgjedhur ta luanin pa maska.

Teksti i dramaturgut serb Irfan Mensur, shkruar në shekullin e 16-të, në pamje të parë duket se nuk i ka komplikuar aq shumë serbët. Kjo për faktin se është shkruar katër shekuj më parë. Vepër pa moment historik, pa filozofi, po me një moral të thjeshtë - si ndahen njerëzit në të mirë dhe të këqij.

Konkretisht, komedia “Dundo Maroje”, që u shfaq një natë më parë në Butrint, ishte pa tekst impenjativ për Teatrin Kombëtar të Nishit. Shfaqja tregoi se si mund të përshtatet një autor klasik serb. Ndërsa mjeshtëria, zeja e aktrimit nuk tradhtonte traditën 120-vjeçare të këtij teatri që njeh në përvojën e tij teatrin e repertorit.

Nxënësit e Mensurit e vunë këtë projekt ashtu siç e ka lënë në të gjallë dramaturgu. Specifikë lëvizjeje, shpejtësi, dinamikë, të gjitha një ansambël unik në një lojë të fortë aktrimi. Për një orë e gjysmë shfaqja mbaroi. Dhe gjithë ç’mbeti, ishte marramendja që të jep komedia dell’arte, që serbët kishin zgjedhur ta luanin pa maska.

Një grup fshatarësh nga Dubrovniku e krijojnë vetë të gjithë shfaqjen. Ata, të ndarë në dyshe aktorësh, arrijnë të japin një atmosferë keqkuptimesh, kotësish, mbi të cilën e ndërtojnë jetën.

Dukatet e shpërblimit për t’i rrëmbyer zemrën kurtizanes e shndërrojnë skenën në një mejhane ku sheh veset, të mirën dhe të keqen, imoralitetin dhe perversitetet – mbi këto predikohet dashuria.

Pamë një atmosferë shekspiriane që e çon të gjithë veprën në një përfundim kotësish.

Aktori Aleksandër Mihailoviç ka treguar në konferencën e djeshme për shtyp se kjo vepër nuk ka lidhje me aktualitetin, por është e njëjta situatë me momentin ku jetojnë. Ai ka pohuar se është thjesht një shfaqje që ofron mundësi për të luajtur, ku flitet universalisht për njeriun e mirë dhe të keq.

Dhe parimisht, sipas aktorit serb, kjo temë është aktuale dhe sot, sidomos në Ballkan.

Vendosja e këtij projekti në Butrint për aktorët e shfaqjes ka qenë një nga befasitë e interpretimit, duke e vlerësuar skenën antike si plotësim i një instalacioni të përkryer me idenë e komedisë dhe shpejtësisë që kërkonte kjo vepër. “Shfaqja ishte një përvojë shumë e madhe. Skena ka hapësira specifike që na sjell shumë ndjesi. Kjo po na shtyn të mendojmë për një shfaqje tjetër në Butrint”, - tha një nga aktorët, Dejan Cicmiloviç.

Teatri i Nishit, me një traditë të vjetër rreth 120-vjeçare, renditet ndër tre teatrot më të rëndësishme në Serbi, ku aktorët pohuan se mbështeten në teatër repertori.

Dejan Cicmiloviç që ka mbajtur peshën kryesore të shfaqjes në rolin e Dundo Marojes, tha se raporti i tij ndaj rolit ka qenë krejtësisht i kushtëzuar nga komedia dell’arte.

Një prej aktorëve ka treguar se trupa bashkëpunon shumë me Akademinë e Arteve në Serbi, për të thithur aktorët e rinj. Madje ka habitur auditorin e djeshëm në konferencën për shtyp se janë miq me aktorin shqiptar Enver Petrovcin, që jep ligjërata pikërisht në Akademinë serbe. Ndërsa për momentin po përgatisin një shfaqje në teatrin serb në Mitrovicë.

Aktorët serbë thanë se në repertorin e tyre janë kryesisht autorë klasikë. Sistemi i shkollës ruse dhe klasicizmi anglez janë dy burimet ku marrin teknikën dhe anën emocionale të teatrit.

Në fjalën e tij aktori shqiptar Mirush Kabashi ka vlerësuar mjeshtërinë e aktrimit nga trupa serbe e Teatrit të Nishit, duke kaluar në një mesazh për familjen e artit, duke tërhequr vëmendjen se politikanëve u duhet dhënë mesazhi për t’u larguar nga kompleksi i kufijve dhe të predikojnë dashurinë. Ndërsa, aktori shqiptar është mbështetur nga aktorët serbë duke e forcuar më tej mendimin se duhet forcuar familja e artit, që vendet të lidhen fort përmes kulturave.

Teatri i Nishit është trupa e katërt që përfaqëson Serbinë në festivalin e Butrintit. Kjo vjen pas vënieve të suksesshme të shfaqjeve të mëparshme të teatrit serb në skenën antike të Butrintit ku kujtojmë “Antigonën”, komedinë ”Dasma” dhe dramën e vjetshme “Trilogjia e vdekjes” të nobelistes Elfrid Jelinek.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›