E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ai mbetet modeli i politikanëve që gënjejnë dhe bëjnë llafe, të dorëzojë planin”

Plani Rregullues, Ministri Sokol Olldashi akuzon Edi Ramën

Qeveria i apelon sërish kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, që të dorëzojë sa më parë Planin Urbanistik. Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi i bëri thirrje dje kryebashkiakut, të cilin e cilësoi si politikani që thur mashtrime të marrë mundimin dhe të dërgojë në qeveri Planin në mënyrë që të procedohet më tej, drejt realizimit konkret të tij. Olldashi e akuzoi Ramën se me sjelljen e tij është bërë mishërim i politikanëve që bëjnë llafe, i cili del dhe gënjen për sa i takon Planit Urbanistik të Kryeqytetit.
“Kemi parë dje Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, i cili është modeli i politikanëve që bëjnë llafe, të dalë dhe të gënjejë në mënyrë të paturpshme, duke ftuar qeverinë të miratojë Planin Urbanistik të Kryeqytetit. Ne jemi të gatshëm të miratojmë Planin Urbanistik por së pari duhet të na e dërgojë, sepse nuk e ka dërguar akoma, vazhdon ta mbajë në sirtar”, u shpreh Olldashi.
Ai bëri thirrje kryebashkiakut që të lerë mënjanë gënjeshtrat dhe të bëjë punën që i takon, duke dërguar Planin Urbanistik pranë Sekretarisë Teknike të KRRTRSH, në mënyrë që qeveria të procedojë për t’i dhënë Planin Rregullues Kryeqytetit.
“Kryetari i Bashkisë së Tiranës mos të dalë dhe të gënjejë në mënyrë të pacipë përpara kamerave, por të bëj detyrën që ka për të bërë, të nisë Planin Urbanistik pranë Sekretarisë Teknike të KRRTRSH-së dhe qeveria do të procedojë me shpejtësi që t’i japë Planin Rregullues kryeqytetit, në mënyrë që edhe kryeqyteti të funksionoj dhe të mos mbetet i bllokuar sikurse është bërë deri më sot”, nënvizoi ministri i Punëve Publike Sokol Olldashi.
Këto deklarata Olldashi i bëri gjatë inspektimit të punimeve në rrugën që lidh Cakranin me qytetin e Fierit, një rrugë që ka qenë në gjendje të tmerrshme. Olldashi u shpreh mjaft i kënaqur që punimet vazhdojnë të ecin me ritëm shumë të mirë.
“Jam mjaft i kënaqur që punimet kanë ecur në ritmin e duhur sepse është një rrugë shumë e rëndësishme për zonën, për Cakranin, për fshatrat e kësaj komune si dhe për vetë qytetin e Fierit për lidhjet qe ka me këtë zonë”, tha Olldashi.
Gjithashtu, në rolin e deputetit të qarkut Fier, Olldashi u shpreh se “investimet në këtë qark, do të vazhdojnë për të përmirësuar infrastrukturën e tij, për të përmbushur në këtë mënyrë të gjitha premtimet që i kemi bërë banorëve të kësaj zone, për t’i dhenë brenda mandatit 4-vjeçar një infrastrukturë tërësisht moderne”.

Për interesa të dyshimta Rama arkivoi pa afat në sirtarët e Bashkisë Planin Rregullues
Prej një kohe të gjatë kryebashkiaku Edi Rama “çimentoi” Planin Rrregullues të kryeqytetit, duke mos marrë as mundimin më të vogël për bërjen transparente të tij dhe prezantimin e detajuar në Këshillin Bashkiak. Prej më shumë se një viti anëtarët demokratë të Këshillit kërkuan me ngulm bërjen publike të planit, duke shtuar këtu edhe dyshimet për paligjshmërinë e tij si pasojë e mungesës së transparencës.  
Vetëm në muajin shtator të këtij viti u bë e mundur që Plani Rrregullues të ishte gati për t’u prezantuar në Këshillin Bashkiak. Por në këtë mbledhje, prezantimi i planit u pezullua për shkak se këshilltarët e PD-së dhe të LSI-së, e quajtën joserioze mënyrën që kishte përzgjedhur administrata e bashkisë për prezantimin e planit. Kjo e fundit kishte bërë një regjistrim të përfaqësuesit të firmës “Urbaplan” Fred Vegër , i cili do të prezantonte me monitore hartimin e planit.
Kryetari i Këshillit Bashkiak, Sokol Dervishaj, e ka cilësuar jo serioz këtë lloj prezantimi, duke u shprehur se “njohja dhe shqyrtimi i planit rregullues të Tiranës është një nga çështjet më të rëndësishme për qytetin, ndaj ai duhet të prezantohet nga drejtuesi i tij, Vegër, personalisht, i shoqëruar dhe nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama”. Ndërkohë që kreu i këshilltarëve demokratë Ferdinand Poni, ka dorëzuar në emër të këshilltarëve demokratë një kërkesë pranë sekretarisë së Këshillit, që në mbledhjen e radhës kur të prezantohej Plani Rregullues duhet të ishte prezent Kryetari i Bashkisë Edi Rama, pasi sipas tij, “shfaqje të tilla qesharake ka nëntë vite që na servir bashkia e Tiranës, dhe në prezantimin e tij duhet të jetë Kryetari i Bashkisë Edi Rama për t’i dhënë edhe seriozitetin e duhur këtë projekti madhor”.
Ndërkohë që vetëm në mbledhjen e 26 tetorit, u arrit që në Këshillin Bashkiak të kalohej Plani Rrregullues i kryeqytetit.
Disa nga përparësitë në Planin Rregullues, janë ndërtimi i ambienteve të reja arsimore, ku është parashikuar që minimalisht duhet të ndërtohen 17 shkolla të reja, si dhe të ngrihet një kampus universitar, gjithashtu edhe shëndetësia është një tjetër pikë kyçe, ndaj parashikohet të ndërtohen 15 qendra shëndetësore të reja. Në Planin e ri urbanistik, në të gjitha projektet që duhet të ndërtohen, duhet të kenë në vëmendje të tyre gjelbërimin, ndaj është parashikuar që për 10-vjeçarin që do të vijë, të krijohen 175 hektarë gjelbërim,  që mund të arrihet duke mbjellë sistematikisht pemë në çdo aks të Tiranës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›