Serbët e Kosovës kundër EULEX: Stop okupatorit
MITROVICE-Serbët e Kosovës protestojnë kundër EULEX. Nën thirrjet “Eulex okupator”, serbët që jetojnë në disa zona të Kosovës zhvilluan sot një protestë. Sipas tyre qëllimi i EULEX është thjesht zbatimi i pavarësisë së Kosovës, për të cilën komuniteti serb në Kosovë është shprehur prej kohësh kundër.
Sic bën të ditur agjencia kosovare e lajmeve, Europa e Lirë, disa mijëra qytetarë serbë protestuan sot nëpër vendbanimet e banuara nga ky komunitet në Kosovë, në shenjë pakënaqësie me vendosjen e misionit të Bashkimit Evropian – EULEX.
Protestuesit thanë se nuk do të lejojnë që EULEX-i të shtrihet në vendbanimet serbe, duke e parë atë si mision që vihet në mbështetje të Republikës së pavarur të Kosovës. Protestat janë mbajtur si në enklavat në pjesën qendrore të Kosovës, ashtu edhe në pjesën veriore të Mitrovicës.
Nënkryetari i Kuvendit të komunave serbe të Kosovës, Marko Jakshic, tha para masës së tubuar në veri të Mitrovicës se “kjo protestë ka për qëllim t’i tregojë opinionit vendorë dhe atij të jashtëm, se serbët nuk do të pajtohen kurrë me shtrirjen e misionit të EULEX-it në Kosovë, sidomos në vendbanimet me shumicë serbe”.
Ky mision, sipas tij, ka për synim formimin e shtetit të dytë shqiptar në Ballkan, andaj ai tha se serbët nuk do të lejojnë Bashkimin Evropian që ta shtrijë misionin e vet në Kosovë. Jakshic ka kërkuar në vazhdim që si kundërpërgjigje ndaj misionit të EULEX-it dhe pavarësisë së Kosovës, serbët t’i shpallin zgjedhjet e lira dhe të formojnë organet e tyre paralele konform sistemit legal në Kosovë.
Protestuesit mbanin në duar gjithashtu mbishkrimet, “Kosova është shpirti i Serbisë” , “Stop EULEX-it” dhe këndonin këngë nacionaliste serbe. Kurse, disa nga ta mbanin në veshjet e tyre fotografinë e radikalit Voisllav Sheshel, i akuzuar për krime të luftës nga Gjykata e Hagës.
Ndërkohë po sot, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, duke mos i komentuar efektet e protestave në lidhje me misionin e Bashkimit Evropian, shprehu besimin e tij se përkundër protestave, EULEX-i do të shtrihet në gjithë Kosovën. “Ata qytetarë janë shtetas të Republikës së Kosovës. EULEX-i ka mandatin të cilin do ta shtrijë në tërë territorin e Kosovës hap pas hapi”, tha Thaçi.
Në pamundësi të miratimit të një rezolute të re në Këshillin e Sigurimit, e cila do të zëvendësonte Rezolutën 1244, misioni policor e gjyqësor i Bashkimit Evropian ka hyrë nën ombrellën e OKB-së.
Por, duke qenë se ky mision ka për bazë pakon e Ahtisaarit, serbët e kanë kundërshtuar atë duke e parë si mision që vjen për jetësimin e pavarësisë së Kosovës. Prandaj, për serbët, misioni i vetëm ndërkombëtar që mbetet i pranueshëm është ai i UNMIK-ut, i cili, me gjasë, edhe pas rikonfigurimit do të ruajë një prani të konsiderueshme në Kosovë, sidomos në viset e banuara me serbë.
(d.b/BalkanWeb)