E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaci: Shtetet që do njohin Kosovën do befasojnë Serbinë

Kryeministri kosovar Hashim Thaci garanton se Kosova do të njihet së shpejti nga shumë shtete. Sipas kreut të qeverisë, njohja që do ti bëjnë Kosovës disa shtete, do të jenë “surprizë” dhe për vetë Serbinë. Deklarata e Thacit ishte një përgjigje për kryediplomatin serb, Jeremic. Po sot edhe Presidenti maqedonas paralajmëroi se Maqedonia do të marrë së shpejti një vendin për shtetin e Kosovës 

PRISHTINE-Qeveria e Kosovës shprehet optimiste për njohjen e shtetit të Kosovës. Kryeministri Hashim Thaçi paralajmëroi sot se shumë vende do të njohin së shpejti shtetin më të ri në Ballkan. Sipas tij shumë nga këto njohje do të jenë befasuese edhe për vetë Serbinë.

Kryeministri Thaci ka komentuar sot në distancë deklaratat e bëra nga diplomacia serbe. “Serbia do të befasohet me numrin e shteteve të reja që do ta njohin së shpejti pavarësinë e Kosovës”, tha Thaçi, pas mbledhjes së sotme të qeverisë si kundërpërgjigje ndaj deklaratave të ministrit të Jashtëm serb, Jeremic. Kryediplomati serb u shpreh një ditë më parë se disa vende do ta tërheqin vendimin e njohjes, nëse gjykata ndërkombëtare e Hagës vendos se me pavarësinë e Kosovës është shkelur e drejta ndërkombëtare Serbinë.

Ndërkohë disa vende evropiane e kanë në axhendën e tyre cështjen e Kosovës së pavarur. Kështu Portugalia të martën e javës që vjen do të diskutojë dhe vendosë për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Burime nga Lisbona bëjnë të ditur se kjo çështje pritet të diskutohet në mbledhjen e Qeverisë së Portugalisë, me 7 tetor. Sic citojnë mediat kosovare, Portugalia ka hezituar ta marrë më parë në shqyrtim rastin e Kosovës, pasi ka patur shumë presione nga Spanja. Spanjë ka qënë një ndër dy shtetet e BE që kundërshtuan hapur pavarësinë e Kosovës.
Por nga Ballkani vijnë sinjale pozitive. Njohjen e Kosovës e ka paralajmëruar edhe Maqedonia përmes presidentit Branko Cërvenkovksi. Presidenti i Maqedonisë paralajmëroi sot në Bruksel se shteti i tij së shpejti mund të marrë vendimin lidhur me njohjen e pavarësisë së Kosovës. "Ne kemi diskutuar për raportet për Kosovën. Mendoj se ka kaluar koha e debateve dhe analizave rreth Kosovës dhe ka ardhur koha e vendimeve", ka thënë Cërvenkovski. Ai i bëri këto komente pas takimit me Komisionerin evropian të Zgjerimit Oli Rehn.
(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›