E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO-ja do të qëndrojë në Kosovë sa të jetë e nevojshme

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tom Kejsi, ka deklaruar se NATO-ja do të qëndrojë në Kosovë për aq sa të jetë nevoja. Gjatë një prononcimi për shtyp, Kejsi u shpreh se do të ketë diskutime të vazhdueshme midis qeverisë së re në Kosovë dhe NATO-s mbi specifikat e këtij misioni. "NATO-ja ka një mision në Kosovë dhe aleanca ka thënë se atë mision do ta vazhdojë derisa forcat e sigurisë të Kosovës të jenë në gjendje të marrin përgjegjësinë e plotë për detyrat që u kërkohen dhe derisa të besojnë se janë në gjendje ta bëjnë këtë", - tha Kejsi. Ai ka sqaruar më tej se për momentin nuk ka diskutime mbi mundësinë e shtimit të forcave të NATO-s në Kosovë. Kjo çështje, sipas tij, i takon komandantit Suprem të NATO-s dhe autoriteteve të tjera ushtarake të kësaj aleance që duke parë zhvillimet në Kosovë të konsiderojnë mundësinë e ndryshimit të numrit të forcave në terren. Kejsi rikujtoi sërish në deklaratën e tij se Kosova është një shtet i pavarur me një qeveri sovrane.

29 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›