Serbët e veriut, në sinkron me talibanët e Lindjes së Mesme, sulmojnë bazat e KFOR-it me granata

Strukturat kriminale serbë, me sulmet e tyre të vazhdueshme ndaj forcave paqeruajtëse të KFOR-it, po tregojnë se po krijojnë një “vëllazëri” në distancë me talibanët e Lindjes së Mesme. Në krye të listës së zezë, strukturat kriminale serbe, përpos shqiptarëve, kanë vendosur NATO-n, ndërkohë që vazhdojnë të inkurajohen nga Beogradi, i cili ka deklaruar dje pas sulmit se do të vazhdojë financimet për këto struktura kriminale
Strukturat kriminale serbe në Serbi duket se po i amplifikojnë sulmet ndaj forcave të NATO-s si në numër, ashtu edhe në armë, duke krijuar kështu një simetri me sulmet e talibanëve në Lindjen e Mesme. Gjatë ditës së djeshme, në oren 4.00 të mëngjesit, serbët kanë hedhur dy granata në kampin e KFOR-it në vendkalimin Kufitar 31 në Bërnjak. "Njëra ka shpërthyer, kurse tjetra ka mbetur e pashpërthyer në mes të rrugës, duke bllokuar trafikun", ka njoftuar forca paqeruajtëse, duke bërë të ditur gjithashtu se "një ushtar i KFOR-it ka pësuar humbje të lehtë të dëgjimit dhe se nuk është raportuar ndonjë dëmtim i madh material”, thuhet në njoftimin e KFOR-it. Menjëherë pas këtij sulmi, KFOR-i është detyruar ta mbyllë vendkalimin kufitar 31 në Bërnjak, për ta hapur atë disa orë më vonë. Qeveria e Kosovës ka dënuar ashpër sulmin me granate dore ndaj KFOR-it, që ndodhi sot në mëngjes në vendkalimin kufitar në Bërnjak, si pasojë e të cilit u lëndua një ushtar i KFOR-it, thuhet në një njoftim të kabinetit qeveritar. "Ky sulm i radhës mbi forcat paqeruajtëse të KFOR-it që bëhet nga strukturat kriminale në veriun e Kosovës, është i dënueshëm nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Qeveria e Republikës së Kosovës i jep mbështetje të plotë KFOR-it në përmbushjen e misionit të vet për sigurimin e lëvizjes së lirë edhe në atë pjesë të territorit të Kosovës", thuhet në deklaratë. "Edhe njëherë, Qeveria e Republikës së Kosovës fton gjithë qytetarët serbë të Kosovës që të jenë pjesë e institucioneve demokratike kushtetuese të Republikës së Kosovës, si dhe të bashkëpunojnë me KFOR-in", ka potencuar Qeveria. Largimi i barrikadave nga KFOR-i dhe hapja e rrugëve për të siguruar lirinë e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave në gjithë pjesën veriore të Kosovës është në funksion të hapjes së perspektivës së zhvillimit ekonomik dhe të krijimit të sigurisë së plotë për gjithë qytetarët, nenvizohet në komunikatën e Qeverisë. "Qeveria i dëshiron shërim sa më të shpejtë ushtarit të lënduar në këtë sulm, duke kërkuar që incidentet si ky të zbardhen menjëherë". Ashpër ka reaguar gjithashtu edhe EULEX-i. “EULEX fuqishëm i dënon ata që kanë ndërmarrë sulm në orët e hershme të mëngjesit të sotëm(djeshëm), në pikë-kalimin ndërmjet Kosovës e Serbisë, në portën 31”, thuhet në një kumtesë të misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX. Vetëm për shkak të fatit, askush nuk është plagosur seriozisht apo vrarë”, thotë EULEKS-i dhe shton se “aksionet e këtilla janë totalisht të papranueshme”. Misioni i BE-së e ka lansuar një hetim për gjetjen e autorëve të sulmit. “Një sulm i këtillë është sulm në komunitetin ndërkombëtar”, theksohet më tutje në deklaratën me shkrim të EULEX-it, dhe konkludohet se porta 31, pas një kohe të shkurtër është hapur, ndërsa bashkësia ndërkombëtare, përfshirë KFOR-in dhe EULEX-in, nuk do të zmbrapsen nga sulmet e këtilla qyqare.
Jahjaga: Sulmi ndaj KFOR-it, i patolerueshëm Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka dënuar sulmin ndaj trupave paqeruajtëse të NATO-s, në afërsi të fshatit Bërnjak, komuna e Zubin Potokut, ku u lëndua një ushtar i KFOR-it. Presidentja Jahjaga vlerëson se sulmi ndaj paqeruajtësve të KFOR-it është i papranueshëm dhe i patolerueshëm dhe në kundërshtim të plotë me misionin e forcës paqeruajtëse për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt në Kosovë, për të gjithë qytetarët e saj. Në reagimin e saj Jahjaga thekson se ky sulm është edhe një përpjekje e strukturave ilegale dhe kriminale serbe, që veprojnë në tri komunat në veri të vendit, për të penguar vendosjen e rendit dhe ligjit dhe për të penguar qarkullimin e lirë të njerëzve dhe të mallrave në këtë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës. Presidentja e mbështet fuqishëm aksionin e forcave paqeruajtëse të NATO-s për heqjen e barrikadave, zhbllokimin e rrugëve dhe vendosjen e rendit dhe ligjit në mënyrë që qytetarët e komunave në veri të territorit të Kosovës të gëzojnë të drejtat e tyre, thuhet në njoftimin e bërë publik nga nga Presidenca.
Bogdanoviç thotë se Serbia nuk do t’i ndalë financimet në veri, nëpërmjet të cilave serbët blejnë armë /Ministri në largim i Kosovës në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviç ka deklaruar se Serbia nuk mund të ndalë financimin e institucioneve të saj në veri të Kosovës, derisa nuk përfundojnë bisedimet mbi statusin politik të veriut. “Derisa nuk përfundojnë bisedimet serioze mbi statusin politik të veriut të Kosovës, shteti nuk mund të ndalë mbështetjen financiare të institucioneve tona”, ka thënë Bogdanoviq për “Veçernje Novostin.” Ai ka thënë se Serbia është e gatshme për dialog dhe zgjidhje kompromisi, por, jo edhe për përmbushjen e kushteve, të cilat bien ndesh me interesat kombëtare. “Nuk është fshehtësi se ekziston presion që të shuhen institucionet tona në veri dhe që shteti të ndalë së financuari atë pjesë të territorit shtetëror. As ky kusht nuk është i ri, veç se bëhet me interpretim të ndryshëm, dhe ka ekzistuar edhe para shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Bogdanoviç. Veriu i Kosovës vazhdon të mos i nënshtrohet autoritetit të Prishtinës derisa kontrollohet nga strukturat paralele që i financon Beogradi zyrtar. Zyrtarë të shteteve të fuqishme perëndimore i kanë kërkuar Serbisë shuarjen e këtyre strukturave paralele.
...