Serbët e veriut presin me protesta Vuçiç-in: Tradhëtuat Kosovën
Kosovë- Serbët e veriut të Kosovës e kanë pritur me protesta mbërritjen e zv/kryeministrit serb Aleksandër Vuçiç. Sipas Blic, nëpër të gjitha vendbanimet serbe në veri janë vendosur postera me fotot e tre zyrtarëve më të lartë të Serbisë me qeleshe të shqiptarëve në kokë: Aleksandër Vuçiç, Ivica Daçiç dhe Tomislav Nikoliç. Në portrete e tyre është mbishkrimi Ata e tradhtuan Kosovën, raporton Koha Ditore.
Gazeta Blic sot shkruan se këto postera janë shtypur në shtypshkronjën e vëllait të deputetit serb nga partia e Koshtunicës (DSS) Marko Jakshiç, Zorani.
Zoran Jakshiç në veri e ka kompaninë e cila është edhe furnizuesi ekskluziv i shtëpive të studentëve në veri me artikuj ushqimorë dhe ka tërë monopolin në këtë pjesë të vendit pasi furnizon edhe të gjitha firmat e mëdha në veri. Zorani njihet edhe si iniciuesi kryesor i të gjitha protestave në veri. Paratë për shtypjen e pllakateve janë tërhequr nga Jugobanka në Mitrovicë.