Studentët ia mësyjnë bibliotekës

Pas pushimeve verore studentët i janë kthyer sërish mësimit dhe vendi më adekuat për të mësuar është Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës, e cila sipas tyre me gjithë vapën që po mbretëron i plotëson kushtet që i kërkon një student për të mësuar.
Sami Keka, student në Fakultetin e Shkencave kompjuterike në Universitetin e Prishtinës, i kushton shumë orë leximit në BKUK për t`i përgatitur provimet. Ai thotë se katër orë në ditë ia kushton leximit dhe sipas tij biblioteka është vend i duhur ku mund të mësojë një student.
“Zakonisht shfrytëzoj katër orë, por varet edhe prej intensitetit të provimeve dhe varësisht prej atyre mundohem që ta shfrytëzoj edhe më shumë. Kushtet janë optimale dhe ka mundësi të mëdha për të arritur në shkenca të ndryshme dhe subjekte të tjera ai që dëshiron të mësojë”, ka thënë Keka.
Adem Rudaj, student i Fakultetit Ekonomik, ka thënë se lexon shumë në bibliotekë, ndërsa sipas tij kushtet janë të mira me gjithë temperaturën e lartë.
“Po, kushtet janë të mira. Temperatura e madhe pak tash pengon se kushtet janë të mira, po kemi pasur hapësirë të mjaftueshme dhe afati ka qenë i suksesshëm 7 në mëngjes deri në 12 dhe prej orës 5 në mbrëmje”, u shpreh Rudaj.
Ndërsa, studenti Arton Shala shprehet i pakënaqur me kushtet që ofron biblioteka për shkak të problemit me të ftohtë në dimër, si dhe me vapë të madhe gjatë verës.
“Mundem të them pse orë ose gjashtë ore varet nëse kemi ligjërata ndoshta më pak, por zakonisht pesë orë. Nuk jam i kënaqur me kushtet, sepse verës është nxehtë, dimrit është shumë ftohtë”, u shpreh ai.
Mbikëqyrësja e sallës së lexuesve Belgjizare Rexhepi thotë se interesimi i lexuesve tashmë vërehet biblioteka ka numëruar deri në 1200 studentë gjatë ditës.
“Ne i kemi tri salla. Kjo është qendrore, i zë 400 studentë. Çdo herë kemi lëvizje, ndoshta edhe deri 1200 studentë kemi pasur. Po, tash ata edhe nëpër konvikte nuk janë vendosur ende derisa të strehohen sigurisht kemi me pasur, sepse kemi edhe mjaft të regjistruar”, ka thënë Rexhepi.
Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës numëron tri salla të leximit, sallën qendrore, sallën e periodikut, si dhe sallën e punëtorëve shkencor, derisa mbetet vendi më i frekuentuar i studentëve të Universitetit të Prishtinës, të cilët e shfrytëzojnë atë për të mësuar.