Serbët ngrenë armët edhe kundër EULEX-it, mbetet pak mundësi për “integrimin” e tyre në Kosovë
Edhe të shtunën ekstremistët serbë në lagjen veriore “Kroi i Vitakut”, kanë bërë përpjekje që të ndërpresin punët në rindërtimin e shtëpive shqiptare në këtë lagje, por nuk kanë pasur sukses. Rreth orës 10:00 të mëngjesit një turmë serbësh, me flamuj të Serbisë dhe duke brohoritur “Rroftë Serbia, Rroftë Serbia”, janë nisur në drejtim të shtëpive shqiptare, me qëllim që të pengojnë punët që po zhvilloheshin me intensitet të shtuar.
Zëdhënësi i policisë rajonale të Mitrovicës, togeri Besim Hoti, ka thënë se rreth 100 serbë janë tubuar në vendin e njëjtë, ku ishin tubuar të premten, në shenjë pakënaqësie që po vazhdonin punët në rindërtimin e shtëpive shqiptare dhe me qëllim të ndërprerjes së punëve. Për të mos lejuar incidentin e mundshëm midis serbëve dhe shqiptarëve, policia ka reaguar duke hedhur disa herë gaz lotsjellës, gjë që ka ndikuar që serbët të mos vazhdojnë në drejtim të shqiptarëve. “Përdorimi i gazit lotsjellës ishte i domosdoshëm për të ndaluar serbët që të mos shkojnë në drejtim të shqiptarëve dhe për të evituar incidentet eventuale. Falë këtij reagimi të policisë, situata dukej të qetësohet dhe nuk kishte të lënduar e as të arrestuar, ndërkohë që punët në rindërtimin e shtëpive shqiptare kanë vazhduar pa problem”, ka thënë Hoti. Mirëpo, ka qenë ora 12:30 minuta, kur janë dëgjuar të shtëna rafali nga armë zjarri, që vinin nga pozicionet e serbëve që i kishin zënë rrëzë kalasë së qytetit, për t’i mbrojtur serbët tjerë që ishin nisur në drejtim të shtëpive shqiptare. Policët e EULEX-it dhe ata të Kosovës vetëm e vështronin situatën dhe nuk kishte nevojë për intervenim. Sidoqoftë ata u pozicionuan më mirë, por të shtënat janë ndërpre dhe nuk pati nevojë për ndonjë intervenim, ndërkohë që forcat policore dhe ato të KFOR-it, ishin në numër më të madh se ditën e premte. Edhe pas të shtënave, policia disa herë ka hedhur gaz lotsjellës, në drejtim të serbëve, sa herë që ata donin të niseshin në drejtim të shtëpive shqiptare, por diku pas orës 13:00, ata janë larguar nga vendi ku ishin të tubuar. Në ndërkohë punët në pronat e shqiptarëve kanë vazhduar normalisht.
Komandanti serb i Policisë së Kosovës kërkon ndërprerjen e punimeve/Pak pas mesditës, komandanti i stacionit të policisë në veri të Mitrovicës, Milija Milosheviq, i është drejtuar Rasim Veselit, drejtor i Drejtorisë për Infrastrukturë dhe Shërbime Publike, me kërkesë që të ndërpresë punët, pasi që sipas tij, situata është duke u përshkallëzuar dhe mund të dalënga kontrolli. Mirëpo, Veseli i ka thënë Milosheviqit se ai nuk mund t’i ndërpresë punët, pasi që është tjetërkush që pyetet për këtë. “Ky është një projekt humanitar që po realizohet. Njerëzit duhet të kthehen në pronat e tyre prej nga me dhunë janë larguar dhe u janë djegur ato. As punëtorët që po punojnë e as familjarët që duan të kthehen, nuk po e pengojnë dhe nuk po e provokojnë askënd. Andaj punët duhet të vazhdojnë sot, nesër e derisa të përfundojë rindërtimi i shtëpive”, i ka thënë Veseli Milosheviqit. Ndërkaq, kryetari i komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, ka mohuar të ketë pasur takim me përfaqësuesin rajonal të UNMIK-ut, Juozas Kazllas, pasi që kështu flitej në vendin e ngjarjeve. Ai ka thënë se Kazllas i ka telefonuar atij për ta informuar se ka pasur një takim me serbët e lagjes “Kroi i Vitakut” dhe asgjë më shumë. “Nuk kam pasur takim me Kazllasin dhe nuk ka kurrfarë marrëveshje për ndërprerjen e punëve të filluara për ndërtimin e shtëpive shqiptare në këtë lagje. Qëndrimet tona tashmë janë të njohura, se ndërtimet duhet të bëhen dhe njerëzit duhet të kthehen në pronat e tyre. Policët e Kosovës, ata të EULEX-it dhe KFOR-i deri tash po i kryejnë detyrat e tyre ashtu si duhet dhe me përgjegjësi”, ka thënë kryetari Rexhepi. Pronari i shtëpisë që po ndërtohej, Agim Ramdani, është shprehur të jetë i kënaqur me fillimin e punëve për ndërtimin e shtëpisë së tij dhe të axhës. “Këtu kemi jetuar mbi 20 vjet dhe dëshirojmë që sa më parë të kthehemi e të vazhdojmë të jetojmë, sepse deri tash kemi jetuar në kushte të vështira, nën tende, me qira dhe në shtëpi të të afërmve. Kjo është e tepërt dhe shumë po gëzohem që më në fund po shoh vendosmëri të institucioneve tona për të na ndihmuar për t’u kthyer në shtëpitë tona”, tha Ramadani.