Qeveria, politika të suksesshme në rritjen e ekonomisë dhe në uljen e varfërisë

Deklaron zëdhënësja e qeverisë Majlinda Bregu
Raportet e Bankës Botërore, Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, PNUD dhe Institutit të Statistikave në botimin e Anketës për Matjen e Nivelit të Jetesës, kanë dhënë një panoramë të qartë e të plotë, të një prej fenomeneve më të mprehta ekonomike e sociale të çdo vendi në botë, siç është problemi i varfërisë, duke konfirmuar se varfëria në vendin tonë po vazhdon të shënojë rënie me ritme më të shpejta, krahasuar me vitet më parë. Nga 18.5 për qind që ishte në vitin 2005, sot niveli i varfërisë ka rënë në 12.4 për qind të popullsisë, ndërkohë që specifikohet niveli i lartë dhe i konsoliduar i rritjes ekonomike gjatë këtyre viteve, në 7 për qind, nëpërmjet politikave mbështetëse të qeverisë.
TIRANE - Politikat ekonomike e sociale të ndërmarra nga qeveria kanë bërë të mundur që mbi 200 mijë persona të shkëputen nga zinxhiri i varfërisë dhe të bëhen pjesë e rritjes ekonomike të vendit. Kështu deklaroi zëdhënësja e Këshillit të Ministrave, Majlinda Bregu, njëkohësisht ministre e Integrimit, duke iu referuar studimit të Bankës Botërore, Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Zhvillim dhe Instituti i Statistikave mbi uljen e nivelit të varfërisë në Shqipëri.
“Banka Botërore, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, PNUD dhe Instituti i Statistikave në botimin e Anketës për Matjen e Nivelit të Jetesës, kanë dhënë një panoramë të qartë e të plotë, të një prej fenomeneve më të mprehta ekonomike e sociale të çdo vendi në botë, siç është problemi i varfërisë. Ky studim ka konfirmuar edhe një herë se varfëria në vendin tonë po vazhdon të shënojë rënie me ritme më të shpejta, krahasuar me vitet më parë. Nga 18.5 për qind që ishte në vitin 2005, sot niveli i varfërisë ka rënë në 12.4 për qind të popullsisë, me një rënie me mbi 35 për qind në vitet 2005- 2008, nga një rënie me 27 për qind që ishte shënuar në periudhën 2002-2005. Ky studim veç shifrave ka konfirmuar se kanë qenë politikat ekonomike e sociale të ndërmarra nga qeveria, që kanë bërë të mundur që mbi 200 mijë persona të shkëputen nga zinxhiri i varfërisë dhe të bëhen pjesë e rritjes ekonomike të vendit”, tha Bregu.
Ajo vuri në dukje se konsumi mesatar për frymë është rritur me 7 për qind që nga viti 2005. Zonat qendrore e bregdetare janë zonat, të cilat kanë pasur një ulje drastike të varfërisë. 10 për qind e popullsisë në këto zona është e varfër sot në krahasim me 21.2 për qind të vitit 2005.
Fakti se ka pasur një rënie të ndjeshme të varfërisë në zonat rurale, me 47 për qind dëshmon se varfëria nuk është më sot një problem kryesisht rural.
Bregu u shpreh se niveli i lartë dhe i konsoliduar i rritjes ekonomike gjatë këtyre viteve, në 7 për qind, politikat qeveritare të mbështetjes e vëmendjes ndaj këtij problemi të ndjeshëm, dyfishimi i pensioneve, pagave, asistencës sociale, lehtësirat e të bërit biznes, taksat e ulëta, apo dhe programet e zhvillimit rural, investimeve publike, janë shpjegimi i vetëm i uljes së nivelit të varfërisë nga 18.5 për qind në 2005, në 12.4 për qind në 2008 dhe vërtetojnë që reminitancat nuk janë më primare si dikur në zbutjen e varfërisë në vend.
Zëdhënësja e qeverisë shtoi më tej se në këtë fenomen janë përqendruar këto ditë disa nga periodikët dhe agjencitë më serioze ndërkombëtare si “Forbes”, “Wall Street Journal” dhe “Reuters”, të cilat kanë vënë theksin në zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm në Shqipëri në një kohë kur e gjithë bota e rajoni është i prekur nga kriza globale.
“Ky studim, dëshmi e trendit të ndryshimit në Shqipëri, është edhe një dokument i rëndësishëm referimi, jo vetëm statistikor, por dhe orientues për vazhdimin e reduktimit të mëtejshëm të varfërisë, sidomos në zonat malore, ku fenomeni është ende i pranishëm.
Kjo analizë e tipologjisë së varfërisë i ofron qeverisë të dhënat reale të një situate pozitivisht në ndryshim, konfirmimin se politikat e ndërmarra gjatë këtyre viteve kanë qenë të suksesshme dhe nga ana tjetër na orienton drejt një detyrimi: reduktimin e treguesit të varfërisë relative me 70 për qind dhe eliminimin e plotë të varfërisë ekstreme në vend”, tha ndër të tjera zëdhënësja e qeverisë dhe njëherazi ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu.