E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Sarkosy premtoi realizimin e projektit evropian të Shqipërisë

Kryeministri Berisha, konferencë për shtyp, pas kthimit nga vizita zyrtare në Francë TIRANE - Franca mbështet plotësisht projektin evropian të Shqipërisë, aplikimin për statusin e vendit kandidat në BE dhe liberalizimin e vizave në përputhje me plotësimin e kushteve. I kthyer gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm nga vizita zyrtare në Paris, si kryeministri i parë që pritej në Pallatin Elyzee, me ftesë të Presidentit Nikola Sarkozy, kryeministri Sali Berisha doli dje në mbrëmje në një konferencë për shtyp, ku informoi gazetarët mbi takimet me autoritetet e larta të shtetit francez dhe përfaqësues të biznesit. “Ishte një vizitë e shkurtër, por aq sa ishte e shkurtër vizita ime në Francë, po aq ishte miqësore, intensive dhe e frytshme”, tha kryeministri, duke nënvizuar se ishte një vizitë shumë e frytshme, që i jep një tjetër nxitje marrëdhënieve mes dy vendeve. Duke u ndalur te takimi i zhvilluar në Pallatin Elyzee me Presidentin francez, Sarkozy, Kryeministri Berisha informoi se “Presidenti Sarkozy më garantoi se Franca dhe ai personalisht mbështesin plotësisht Shqipërinë në rrugën e integrimit të saj në BE. Presidenti e konsideroi këtë si një proces të parikthyeshëm dhe siguroi mbështetjen për aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat”. Kryeministri tha se projektet e Shqipërisë për integrimin në BE, reformat e thella të ndërmarra nga Shqipëria për të merituar procesin e integrimit në BE, si dhe bashkëpunimi bilateral para së gjithash në fushën ekonomike, por edhe në atë kulturore, ishin temat kryesore të bisedimeve. Shqipëria ka një vokacion të qartë frankofon, u shpreh ai, duke theksuar “gjatë kësaj vizite i ka shprehur Presidentit Sarkozy dhe vendit të tij, mirënjohjen më të thellë për ftesën dhe mirëpritjen e rezervuar, si dhe për mbështetjen që i dha Shqipërisë në anëtarësimin e plotë në NATO, në samitin e Strasburgut”. “Pasi dha urimet për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, Presidenti Sarkozy vlerësoi se kjo është një arritje vërtet historike për Shqipërinë”, tha Kryeministri Berisha. Ai citoi Presidentin Sarkozy se “Shqipëria ka pasur një trashëgimi jashtë imagjinatës dhe ka kaluar në vështirësi të mëdha, por e ka merituar anëtarësimin në NATO”. Duke informuar gazetarët se Presidenti francez ka pranuar ftesën për të vizituar Shqipërinë, kryeministri Berisha theksoi se Presidenti Sarkozy i kërkoi këshilltarëve më të afërt që të përcaktojnë në axhendën e tij vizitën në vendin tonë. Kjo do të jetë një ditë historike, vlerësoi Berisha, duke nënvizuar se “Presidenti Sarkozy do të jetë presidenti i parë në historinë e marrëdhënieve mes dy vendeve që viziton Shqipërinë”. Gjatë qëndrimit të tij në Paris, kryeministri Berisha u takua edhe me Ministrin e Jashtëm të Francës, Bernard Kushner, të cilit i kërkoi që të inkurajojë biznesin francez për të investuar në Shqipëri. “Ne diskutuam në mënyrë të zgjeruar si për reformat dhe rezultatet e tyre në Shqipëri, ashtu edhe për projektet e integrimit të Shqipërisë në BE, lëvizjen e lirë të shqiptarëve, si dhe inkurajimin e biznesmenëve francezë për të investuar në Shqipëri. Një diskutim të zgjeruar bëmë edhe mbi zhvillimet në rajon”, tha Berisha. Kreu i qeverisë shqiptare zhvilloi në Paris edhe një takim të zgjeruar me shoqatën e bizneseve të mëdha të Francës, ku për rreth 2 orë paraqiti të gjitha potencialet e mëdha që ofron Shqipëria. “Biznesi francez tregoi një interes shumë të veçantë, ndërkohë që edhe biznesmenët francezë, të cilët janë aktualisht të pranishëm në Shqipëri, bënë një avokaturë të shkëlqyer të kushteve dhe mundësive që ofron vendi ynë”, tha kreu i qeverisë shqiptare.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›