E Shtunë, 31 Tetor 2026

Historia e helikopterëve, si historia e orës së Bushit, i shpikin antishqiptarët

Kryeministri ka hedhur poshtë spekulimet e medieve të Edvinit, të cilat sukseset e rivalëve politikë, të cilat janë edhe suksese të shtetit shqiptar i baltosin me shpikje antishqiptare në mediat personale, të helmuara nga dëshpërimi se nuk mundin më të grabisin licencat e shqiptarëve

TIRANE - Kryeministri Sali Berisha vlerësoi si të turpshme shpifjet dhe trillimet që sajon Edi Rama, se kryeministri ka blerë vizitën në Francë, në këmbim të disa helikopterëve.
Berisha tha se ky është një trillim i turpshëm i Edi Ramës, i cili nga ora e Bushit, kalon në shpifje dhe trillime të tjera.
“Të jeni të bindur se Presidenti Nikola Sarkozy, më ftoi në Elyzee, para së gjithash, për të shprehur mbështetjen e tij të plotë dhe totale, ndaj këtij vendi, respektin dhe dashurinë ndaj këtij kombi, por edhe një mirënjohje miqësore që kemi. Kjo vizitë, u bë në këtë moment, sepse e vërteta është se jam përpjekur shumë më tepër që Presidenti të vijë në Shqipëri. Unë kam pasur një qëllim, por meqenëse axhenda e tij nuk e lejon, më ftoi që të shkoja. Kurse ky zotëria, që çdo sukses të kundërshtarit të tij do ta përjetojë si sherr, si tmerr, si disfatë, pavarësisht se ajo është në interesin e vendit tim, përdor në mënyrë barbare mediat. Edhe lajmin e orës, e dimë të gjithë historinë, sesi ai e dërgoi me mesazh, sepse nuk i’u bë vizita në Bashki, u bë si një flluskë. Kjo është ‘ora e Bushit biss’”, u shpreh kreu i qeverisë.  
Kryeministri Berisha u ndal edhe te sqarimet për tenderin e kompanisë së katërt celulare.
Pas pyetjes së bërë nga gazetari i “Vizion Plus”, kryeministri Berisha shprehu se kolegia e tij, “në të njëjtën studio vetëm pak ditë më parë, e porositur nga Edvini, do të më pyeste mua për licencën dhe pronari i Edilit do të mashtronte duke deklaruar  se, ‘s’kam aplikuar kurrë për licencë’, ndërkohë që ministri të nesërmen i nxori të gjitha dokumentet e aplikimit. Kishin ofruar të dy së bashku 5 milionë euro. E shtova këtë se memorja duhet të jetë evidente”, tha kryeministri. 

Nuk ka krizë për kartat e identitetit,
në krizë permanente është Edi Rama
Duke i’u referuar çështjes së shumë diskutuar dhe që po shkon drejt zgjidhjes së plotë, të kartave të identitetit, kryeministri Sali Berisha hodhi poshtë të gjitha pretendimet, për krizë të kësaj çështjeje. Kreu i qeverisë deklaroi kjo krizë që përmendet, ekziston vetëm në mendjen e Edvinit dhe të pronarëve të medieve të kontrolluara prej tij.
Berisha tha se ai ua indukton krizat, pronarëve të medieve nëpërmjet lejeve të ndërtimit që lëshon, dhe nxit gazetarët që të përdorin energjitë e tij.
“Nuk e dini që ai është në mënyrë konstante në krizë? Edi Rama është non-stop në krizë”, tha Berisha.
Kreu i qeverisë u shpreh se dje janë bërë 17 400 aplikime për kartat e identitetit.
Kryeministri theksoi se “kam diskutuar me ambasadorët, është e vërtetë që jemi deklaruar të hapur, përveç variantit që kemi shprehur, gratis është e pamundur”.
Berisha ftoi opozitën që të japë variantet e saj, por theksoi se “kriza është e pashërueshme tek Rama”.
“Për kartat po diskutojmë me ekspertët, për të gjetur rrugën më të përshtatshme”, u shpreh kreu i qeverisë.

Lejet e ndërtimit, të Edvinit,
krizë e tmerrshme morale
Kryeministri Sali Berisha reagoi ashpër, duke iu referuar aferave antiligjore të kryebashkiakut Edi Rama, në dhënien e lejeve të ndërtimit, duke përvetësuar bashkë me Eftimin e tij 19 nga 28 të tilla të lëshuara. Sipas kryeministrit, vetëm një njeri që përjeton një krizë të tmerrshme morale, mund t’i lejojë vetes të shpërfytyrohet në këtë mënyrë.
“Një njeri jashtëkrize, një njeri me fakultete mendore normale, nuk mund të bënte kurr atë që bëri, që dha 19 leje për vete dhe Eftimin e tij, nga 28 gjithsej. Në cilin vend në botë, mund të ndodhte që kryetari i bashkisë apo kryetari i Komitetit Ekzekutiv në diktatura, të mund të merrte vetë apo t’i jepte vëllait të tij 19 nga 28 leje të lëshuara? Vetëm një njeri që përjeton një krizë të tmerrshme morale, mund t’i lejojë vetes të shpërfytyrohet në këtë mënyrë. Imagjinoni veten në një detyre shtetërore, ku ligji të thotë ‘konflikt interesi’ dhe ti japësh ti, jo njeriut të afërm tënd, por as edhe një shoku nuk do të pranoje t’i jepje kurrë 2 të tilla, kurse ai në një krizë të tmerrshme, mori me Eftimin e tij, pa pyetur fare se çfarë ndodhte, pa e çarë kokën, njëlloj si në plazh publik, kur ishte ministër, sesi sytë e të gjithë shqiptarëve ishin drejtuar nga ajo mbledhje. Ç’më duhet mua se çfarë bëj unë, u tha shqiptarëve”, deklaroi kryeministri Berisha.

Garancitë e Sarkozy dhe Kushner
për investimet në Shqipëri
Presidenti Sarkozy dhe ministri Kushner do të inkurajojnë fuqishëm biznesin francez që të investojë në Shqipëri, bëri të ditur midis të tjerave dje Kryeministri Sali Berisha.
“Lidhur me investimet, unë mora siguri të plotë, nga presidenti Sarkozy se ai do të inkurajojë fuqishëm biznesin francez që të investojë në Shqipëri. Madje do të shprehë se në vizitën e tij të ardhshme,  ai do të shoqërohet nga një delegacion i fuqishëm i biznesit francez, po ministri i Jashtëm, Bernard Kushner, u kërkoi këshilltarëve që kishte pranë, të planifikonin sa më shpejt një takim të tij personal me biznesin francez, në mënyrë që tu kërkonte zyrtarisht që të konsideronin në mënyrën më serioze investimet në Shqipëri, të njihte me reforma për të cilat Kushner do të shprehej: Zoti kryeministër keni marrë me shpejtësi të jashtëzakonshme reforma, të cilat janë dëshmuar shumë efiçente dhe kanë ndryshuar vendin. Pra kudo që shkoj, unë një nga qëllimet më madhore kam inkurajimin dhe grishjen e investitorëve dhe investimeve në Shqipëri”, u shpreh Berisha dje në përgjigje të interesimit të gazetarëve.    
 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›