Serbët pajisen me pasaporta hungarezë
Hungaria pret që 80,000 shtetas të Serbisë do të kërkojnë nënshtetësinë e saj në bazë të ligjit të aprovuar sivjet, i cili hungarezëve që jetojnë në venet e treta ua mundëson këtë gjë.
Në një intervistë dhënë portalit Euractiv Serbia, ambasadori hungarez në Beograd, Oscar Nikovic, theksoi se ky pohim bazohet në rezultatet e anketave që dëshmuan se çdo i treti hungarez që jeton në Serbi është i interesuar për nënshtetësinë e Hungarisë.
“Nuk presim ndonjë shpërngulje masive, madje as të atyre që e fitojnë nënshtetësinë”, deklaroi Nikovic, sipas të cilit Hungaria edhe deri më tani ka ofruar lehtësira për punësimin e njerëzve që vijnë nga shtetet fqinje, dhe këto lehtësira tashmë janë shfrytëzuar nga të interesuarit.
“Ngjashëm është edhe në Evropë: problemi i imigrantëve është i pranishëm edhe tani, por pas heqjes së vizave për disa nga shtetet ballkanike ky rrezik nuk do të rritet ndjeshëm për shkak të rritjes së numrit të personave me dyshtetësi, në Serbi”, sqaroi Nikovic.
Ambasadori hungarez në Beograd thotë se përparësitë praktike nuk janë arsyeja kryesore pse Hungaria vendosi t’iu mundësojë përfitimin e pasaportës shtetasve të vendeve të treta.
“Ky ligj i yni, dhe kjo mundësi që ai e ofron, para së gjithash ka një dimension mora për hungarezët që nënshtetësinë hungareze e humbën për shkak të rrethanave historike”, theksoi ai.
“Natyrisht se nënkuptohen edhe përparësi konkrete, e para së gjithash ajo se pasaporta hungareze vlen në BE. Veç kësaj, sapo ta kalojnë kufirin hungarez, ata do të trajtohen sikur edhe shtetasit e tjerë hungarezë, përveç të drejtave që ndërlidhen me qëndrimin permanent dhe me pagimin e tatimeve ose sigurimit social, etj”, tha Nikovic.
“Sa i përket zgjedhjeve dhe të drejtës eventuale për votim, kjo gjë ende po debatohet, megjithëse ende nuk ka një vendim të Parlamentit në Budapest”, sqaroi ambasadori.
Nikovic nuk pret që ky ligj do të ndikojë në marrëdhëniet me Serbinë.
“Dyshtetësia nuk është në kundërshtim as me ligjet, as me rregulloret, e as me parimet e Serbisë. Dhe, meqë gjatë përgatitjes së ligjit tonë jemi konsultuar me Beogradin, nuk presim asnjë pasojë të dëmshme për marrëdhëniet tona”, nënvizoi Nikovic në intervistën për portalin Euractiv.rs.