S'është punuar sa duhet në zbardhjen e krimeve serbe
Drejtues të Arkivave të Kosovës thonë se nuk është bërë sa duhet në grumbullimin e fakteve për krimet dhe gjenocidin që Serbia ka bërë gjatë luftës në Kosovë. Ata kërkojnë nga institucionet tona që të angazhohen më tepër në mënyrë që të botohen libra për masakrat e kryera në Kosovë.
Jusuf Osmani, drejtor i Arkivave të Kosovës, i cili kohë më parë ka promovuar veprën “Krimet e Serbisë në Kosovë 1998-1999”, ka thënë për Kosovapress se qëllimi i botimit të këtij libri është që t’i tregohen opinionit botëror fakte të pakontestueshme për luftën çlirimtare dhe gjenocidin e bërë nga Serbia në Kosovë.
“Vlerësimi dhe qëllimi i okupuesve të ndryshëm, sidomos i okupatorit serb është parë që dëshiron ta ndërrojë strukturën e popullatës, sepse një popull nuk mund të shkatërrohet, por ta dëbojë nga atdheu dhe në vend të tij të bëjnë kolonitë siç ka vepruar edhe më herët”, shprehet Osmani.
Për më tepër, Osmani shprehet me nota kritike ndaj institucioneve të Kosovës, të cilat sipas tij, nuk kanë punuar sa duhet për zbardhjen e fakteve në lidhje me krimet që ka bërë Serbia.
“Nuk është punuar në mënyrë të mjaftueshme për këtë luftë, për këto krime, për këtë gjenocid që është bërë, duhet botohen libra të tëra, madje edhe për çdo vendbanim, për çdo masakër duhet të kemi nga një libër, sepse të tjerët, konkretisht serbët me qindra vepra janë duke i botuar dhe plasuar, madje kanë formuar muze të gjenocidit, arkiva, kinse është bërë gjenocid ndaj popullatës serbe, e ne ende nuk i kemi grumbulluar të dhënat faktike për krimet, gjenocidin që është bërë ndaj neve”, ka thënë Osmani.
Sipas tij, libri “Krimet e Serbisë në Kosovë 1998-1999”, duhet të jetë bazë për bisedimet e ardhshme teknike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi siç thotë autori në këtë libër paraqiten të dhënat për dëmet e luftës, për dokumentacionin që është marrë nga Kosova dhe i cili ruhet në Serbi, si dhe për shumë çështje të tjera.