Washingtoni kritikon arrestimet në Rusi

Shtetet e Bashkuara e kanë kritikuar Rusinë për arrestimin e disa protestuesve politikë.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të shtetit, Philip Crowley, ka theksuar “rëndësinë e përqafimit dhe të mbrojtjes së vlerave universale, përfshirë lirinë e të shprehurit dhe të tubimit”.
Sipas tij, këto vlera janë “të parapara në Kushtetutën e Rusisë dhe në marrëveshjet ndërkombëtare, që Rusia i ka nënshkruar”.
Kritiku i njohur i Kremlinit, Boris Nemcov, është dënuar me 15 ditë burg për mosnënshtrim ndaj urdhrave të policisë, pasi ishte arrestuar gjatë një proteste në Moskë, më 31 dhjetor.
Tri personalitete të tjera opozitare, Eduard Limonov, Konstatin Kosjakin dhe Ilija Jashin, po ashtu janë dënuar me burg, në kohëzgjatje prej 5 e deri në 15 ditë, lidhur me këtë protestë.
Protesta ishte e fundit në serinë e tubimeve për ta mbrojtur të drejtën e tubimit të lirë në Rusi.