E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbët përleshen me EULEX-in në Mitrovicë, mbetet një i plagosur



Blerina Olldashi
Protestat e serbëve kundër ndërtimit të shtëpive të shqiptarëve në veri të Kosovës kanë vazhduar edhe dje, duke hedhur edhe një granatë dore në drejtim të forcave të policisë. Rreth 100 serbë të Mitrovicës tentuan të pengonin punimet, por hasën në rezistencën e EULEX-it, që ndërhyri pasi disa persona tentuan të kalonin kordonin e verdhë të sigurisë, që ndan zonën serbe nga ajo shqiptare. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje reaguan mediat serbe, të cilat bënë të ditur se një banor serb mbeti i plagosur pas lëshimit të gazit lotsjellës nga policia. Pas akteve të dhunës që po vazhdojnë në lagjen “Kroi i Vitakut” prej një jave ka reaguar Bashkimi Europian, i cili kërkoi që personat përgjegjës të trazirave të dalin përpara drejtësisë. “Personat që kanë sulmuar me granata dore paqeruajtësit ndërkombëtarë duhet të çohen sa më shpejt përpara drejtësisë”,- thuhet në një deklaratë të bllokut, të lëshuar së fundi. “BE-ja do të ndalojë këdo që kërcënon jetën e personelit të NATO-s, apo BE-së”, - vlerëson komunikata. Ndërkohë, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, përshëndeti punën e strukturave të sigurisë: policinë e Kosovës, policinë e EULEX-it dhe KFOR it, të cilët e kanë mbajtur gjendjen në kontroll duke dhënë një mesazh të qartë për grupet kriminale. Sipas Rexhepit, kjo ka mundësuar që procesi për rindërtimin e shtëpive të djegura dhe të shkatërruara gjatë luftës në Kroin e Vitakut të mos ndërpriten për asnjë moment, por të vazhdojë sipas planit. Këto komente Rexhepi i bëri gjatë takimit me përfaqësuesit e strukturave politike dhe të sigurisë në Mitrovicë, ku u vlerësua se situata e sigurisë gjatë javës së fundit, përkundër incidenteve në veri të qytetit, ka qenë në kontroll të strukturave të rendit. Rexhepi tha se java është përshkuar me protesta të grupeve serbe që kundërshtojnë rindërtimin në Kroin e Vitakut, të cilët në disa raste kanë qenë shumë të dhunshëm. Ai theksoi se ka pasur ftesa nga organizatorët e protestave që të mbledhin sa më shumë persona, por kjo nuk ka ndodhur, çka dëshmon se qytetarët e rëndomtë të komunitetit serb nuk janë të interesuar për dhunë, por për jetë normale. Rexhepi vuri në dukje edhe sjelljen e mirë të drejtuesve të kompanisë që është duke kryer punimet në atë lagje të veriut, por edhe të qytetarëve, të cilët kanë kontribuuar më mbarëvajtjen e gjendjes, duke mos penguar punimet.

5 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›