SHBA-të i kërkojnë Bangladeshit që të njohë Kosovën
Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Bangladeshit që të njohë pavarësinë e Kosovës. Ambasadori amerikan në Dakë, Xhems Moriarti, ka takuar ministrin e Jashtëm të këtij vendi, Dipu Moni, për ta bindur që Bangladeshi, shtet i tretë me popullsi myslimane në botë, ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ambasadori amerikan ka thënë se do të përpiqet që të takojë kryeministren Sheik Hasina për t’i caktuar një takim me presidentin Barak Obama. “Ne diskutuam çështjen bilaterale”,- u tha ai gazetarëve pas takimit me ministrin e jashtëm. “Një çështje tjetër e madhe ndërkombëtare që unë iu referova edhe njëherë është çështja e njohjes së Kosovës”,- tha Moriarti. “Unë i bëj thirrje qeverisë së Bangladeshit që ta rishikojë çështjen, dhe nëse është e mundshme, të lëvizë përpara me njohjen”. Ambasadori amerikan i theksoi Monit faktin se 58 shtete e kanë njohur deri tani shtetin e Kosovës.
Novotin: “Padia e Serbisë në Hagë, e drejtë e Beogradit”
Konsulli i Maqedonisë në Beograd, Aleksandër Novotin, ka deklaruar se Maqedonia do ta respektojë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në kontestin mes Kosovës dhe Serbisë. “Ne nuk mundemi që asnjë vendi t’i cenojmë të drejtën e realizimit të të drejtave në instancat më të larta ndërkombëtare, madje dhe Maqedonia ka filluar një proces kundër Greqisë në të njëjtin nivel”,- deklaroi Novotin për agjencinë e lajmeve “Fonet”.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme kanë deklaruar se marrëdhëniet mes Maqedonisë dhe Serbisë të cilat u prishën pas njohjes së pavarësisë, po normalizohen. Sipas tyre kjo do të vërtetohet edhe më vizitën e shefit të diplomacisë serbe, Vuk Jeremiç, më 7 maj në Maqedoni.
Kryeprokurori i Hagës nis vizitën 3-ditore në Sarajevë
Kryeprokurori i Hagës, Serzh Bramertz, nisi dje një vizitë 3-ditore në Bosnjë dhe Hercegovinë. “Në Sarajevë Bramertz do të takohet me zyrtarë vendas dhe përfaqësues ndërkombëtar rreth bashkëpunimit dhe realizimit të planit për të përfunduar punën në Hagë”,- tha zëdhënësja e Gjykatës, Olga Kavran. Në fund të këtij muaji Bramertz do të vizitojë Beogradin dhe Zagrebin me qëllim përgatitjen e një raporti për Këshillin e Sigurimit në OKB, i cili do të mbahet në qershor. Ajo tha se nuk është caktuar ende data konkrete se kur Bramertz do të vizitojë Beogradin, por shtoi se është planifikuar që gjatë qëndrimit, kryeprokurori i Hagës do të takohet me zyrtarë serbe, me të cilët do të diskutojë në lidhje me bashkëpunimin e Hagës si dhe me masat që duhen ndërmarrë për të arrestuar dy të shumë kërkuarit Ratko Mlladiç dhe Goran Haxhiç. Në Beograd të dielën kryesuesi i komitetit kombëtar për bashkëpunimin në Hagë, Rasim Ljajiç, tha se të gjitha obligimet kundrejt Hagës duhet të përfundojnë në fund të vitit.
5 Maj 2009