E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, bashkia padi “Elber”-it

 

ELBASAN - Bashkia e Elbasanit do t’i drejtohet gjykatës për të kërkuar nga kompania “Elber” dëmshpërblim për rrugët e dëmtuara. Firma që furnizon me ujë qytetin, sipas vendorëve, ka kryer investime në vendosjen e tubacioneve apo riparimeve të tyre, duke dëmtuar rrugë të ndryshme, të rikonstruktuara vitet e fundit. Ndërkohë, sipas bashkisë, i takon kësaj firme, e cila duhet të riparonte dëmet e shkaktuara, konform kërkesave teknike. Zyrtarë të Bashkisë së Elbasanit pohojnë se janë 2.2 kilometra rrugë që kanë mbetur të pariparuara pas ndërhyrjes për shtrimin e tubacioneve të ujit të pijshëm nga ana e kësaj kompanie. Mosriparimi i rrugëve në disa akse rrugore ka dëmtuar investimin prej rreth 2 miliardë lekë që Bashkia e Elbasanit ka kryer për infrastrukturën rrugore. Me këtë argumentim, bashkia do t’u drejtohet zyrtarisht organeve kompetente për zgjidhjen e këtij konflikti që ka me kompaninë e ujit të pijshëm. Kjo nismë nga ana e bashkisë është marrë sepse inxhinierët e bashkisë kanë verifikuar në terren rrugët dhe pasi kanë pritur më shumë se 200 ankesa nga ana e qytetarëve të Elbasanit. Ata ankohen pranë zyrës së shërbimeve publike për gjendjen e rrugëve pas rikonstruksionit për futjen e tubove për ujin e pijshëm. Ndonëse dhe më parë, bashkia ka reaguar kundër Elberit, tani duket se gjithçka do të marrë rrugën ligjore pasi gjendja e rrugëve janë lënë në mëshirë të fatit nga ana e kompanisë. Të njëjtin problem bashkia e Elbasanit ka pasur edhe me OSSH-në, por që pas takimeve të njëpasnjëshme kompania energjetike ka ndërhyrë dhe ka kryer riparimet për t’i kthyer zonat që ka kryer punime për shtrimin e kabllove të korrentit në gjendjen e mëparshme.             a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›