E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhunon e masakron me thikë gruan e vajzën 15-vjeçare

 

DURRES/ OERD ULQINI

Masakron gruan dhe vajzën 15 vjeçe me thikë, përfundojnë në gjendje të rëndë në spitalin e Durrësit. Edhe vetë agresori pësoi plagë nga vajza e tij, e cila e goditi në kokë me një vazo lulesh në tentativë për të shpëtuar nga vdekja të ëmën.
Sipas policisë së Durrësit, ngjarja ndodhi në lagjen nr.3 të këtij qyteti. Rreth orës 03:00 një telefonatë e ardhur në sallën operative vuri në alarm policinë. A.Kurila dhe vajza e saj, K.Kurila, 15 vjeçe, i kërkoi ndihmë policisë. Grupi i gatshëm mbërriti menjëherë në vendin e sinjalizimit dhe gjeti nënë e bijë të plagosura rëndë me thikë e të mbytura me gjak, e pak metra më tej edhe kryefamiljarin, po të gjakosur. Burime të policisë bënë të ditur se 62-vjeçari Sotiraq Kurila kishte dhunuar barbarisht të shoqen e të bijën e më pas i kishte plagosur ato rëndë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit. Familja Kurila prej disa muajsh ishte në konflikt pasi dy bashkëshortët i ishin drejtuar gjykatës për të zgjidhur martesën. Dhuna e 62-vjeçarit në familjen e tij ishte e përsëritur, ndaj për këtë shkak vetëm dy ditë para kësaj ngjarjeje, Gjykata e Durrësit kishte vendosur që Kurila të mos i afrohej banesës së të shoqes dhe fëmijëve të tij më shumë se 500 metra. Duket se vendimi i gjykatës e kishte acaruar akoma e më shumë të zotin e shtëpisë, aq sa ai mbrëmjen e 13 gushtit ka thyer këtë vendim të gjykatës duke shkuar në banesën e “ndaluar”.
Ai ka shkuar në shtëpi dhe pas një debati me ish-bashkëshorten e tij e ka qëlluar me thikë në trup. E pranishme në momentin e konfliktit ka qenë edhe vajza e tyre 15- vjeçare. Ajo ka ndërhyrë për të shpëtuar të ëmën nga dhuna dhe goditjet me thikë të të atit. Por ky u fundit i është vërsulur edhe asaj me të njëjtën shkallë të agresivitetit duke e qëlluar edhe të bijën me thikë. Ngjarja do të kishte precipituar në një masakër të vërtetë në familjen Kurila nëse adoleshentja nuk do ta kishte goditur babanë e saj me një vazo lulesh që i është gjendur afër. Policia e Durrësit mbërriti në vend pas sinjalizimit të dhënë dhe gjeti të tre anëtarët e familjes të plagosur. Blutë i çuan të tre në spitalin e Durrësit. Sipas burimeve spitalore, të plagosurit morën ndihmën e parë dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Sipas policisë, më 11.08.2009, gjykata ka nxjerrë urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje për A.Kurilën duke i dhënë të drejtën edhe për të jetuar me të dy fëmijët e saj. Gjykata e konsideroi njeri të dhunshëm dhe rrezik për familjen 62-vjeçarin, ndaj vendosi që ai të mos i afrohej banesës më shumë se 500 metra.  Policia vuri në dijeni Kurilën për këtë vendim të gjykatës, i cili mëngjesin e 13 gushtit u thye prej tij. Tashmë Sotiraq Kurila do të përballet me akuzat e “Vrasjes me paramendim të mbetur në tentativë”, ”Shkeljes së vendimit të Gjykatës” dhe “Keqtrajtimit të të miturve”, vepra për të cilat parashikohet nga tre në 7 vjet burgim. Pak ditë më parë një 25-vjeçare me një fëmijë 10 muajsh mbeti pre e dhunës së bashkëshortit të saj. Pas disa ditë peripecish gjeti një vend strehimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›